Në Shkup sot është protestuar kundër proceseve të montuara gjyqësore ndaj shqiptarëve, siç vlerësojnë organizatorët. Kreu i Shoqatës së të Burgosurve Politikë Shqiptarë, Shpëtim Pollozhani, deklaroi se ky është një homazh për Almirin, për Burhanin, për Rexhailin, për Avniun, për Agimin dhe për të gjithë shqiptarët e tjerë që janë të dënuar vetëm pse janë shqiptarë.
“Protestojmë sot në këtë shesh, dhe më vonë para Gjykatës së Apelit. Janë pjesë të një sistemi të korruptuar të drejtësisë. Këtë nuk e themi ne, por e thotë pothuajse çdo vit Departamenti i Shtetit Amerikan, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, e thonë edhe dhjetëra organizata ndërkombëtarë që mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Të gjithë e thonë njëzëri: Gjykatat e Maqedonisë janë të korruptuara fund e krye.
Në raste ndaj shqiptarëve nuk janë marrë parasysh dëshmitë e dëshmitarëve okularë, por është vendosur me anë të dëshmitarëve të mbrojtur – të shpifur”, deklaroi Pollozhani.
Ai ka thënë se ata protestojnë edhe kundër shpërndarjes së të burgosurve në shumë burgje, diçka që u shkakton shumë probleme familjarëve.