Ligji i gjuhëve do të jetë nesër në lexim të dytë pranë Komisionit për Çështje Evropiane çfarëdo që të ndodhë. Dy partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se është një proces i cili do të ndodhë në mënyrë dinamike dhe njëjtë sikurse është paraparë, në agjendën e Kuvendit të Maqedonisë. Nga ana tjetër nga BDI thonë se miratimi i këtij ligji është për të mirën shoqërore, sipas tyre me këtë ligj do të përfitojnë të gjitha bashkësitë etnike dhe secila prej tyre do ta ketë statusin e merituar në shoqërinë e vendit tonë. As njëra po as tjetra parti nuk duan që ti komentojnë protestat që janë paralajmëruar nga organizata “Tvrdokorni”.
Edmond Ademi nga LSDM thotë se është punë e VMRO-së nëse do I përkrah ose jo protestuesit duke shtuar se LSDM nuk ka përse të merret me atë çështje.
“Ligji është në procedurë parlamentare, dhe debati i mëtutjeshëm parlamentar rreth ligjit do vazhdon ashtu siç edhe është paraparë dhe është vendosur nga dinamika e punës së Kuvendit”, deklaroi Ademi për Almakos.
Nga ana tjetër zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi tha se BDI nuk do që ti komenton thirrjet ose apelet që bëhen për protesta ose mbështetje partiake të asociacioneve të ndryshme që sipas Ademit mund të jenë të motivuara politikisht.
“Theksoj se miratimi I ligjit për gjuhën është një nevojë dhe është pjesë e marrëveshjes mes koalicionit. Ajo që është edhe më me rëndësi ligji është një hap i mirë për të thelluar mirëbesimin në mes dy komuniteteve më të mëdha në vend. Kur e them këtë e kam parasysh që Maqedonia është shtet multi-etnik sigurisht që respekti, vlerësimi dhe mirëbesimi në mes komuniteteve të ndryshme është në favor të kultivimit të një shteti të mirëfilltë multi-etnik, ku secila nga bashkësitë do ta ketë statusin e merituar në shoqërinë e vendit tonë”, tha Ademi për Almakos.
Ademi edhe njëherë veçoi se miratimi i këtij ligji është mëse i domosdoshëm si dhe shkon në favor të thellimit të marrëdhënieve të mira ndër etnike.
Pyetjes tonë nuk e panë të arsyeshme ti përgjigjen VMRO-DPMNE, konkretisht deputeti i të njëjtës Ilija Dimovski, edhe pse u pyet disa herë dhe i është lënë hapësirë e mjaftueshme për përgjigje.
Kujtojmë nesër ligji për gjuhët do të jetë në leximin e dytë pranë Komisionit për Çështje Evropiane. Kurse në orë 18:00, është paralajmëruar protestë para selisë së VMRO-së nga ana e organizatës “Tvrdokorni”, kundër miratimit të këtij ligji.
Mevludin Imeri
Almakos.com