Pas takimit të liderëve të partive politike, Ali Ahmeti ka thënë se takimi i sotshëm ishte në vazhdimësinë e konsultimeve që kanë pasur partitë politike shqiptare. Kreu i BDI-së e ka shfrytëzuar këtë paraqitje para gazetarëve për të akuzuar Lëvizjen BESA për shkak se nuk e ka emëruar kryetarin e Komisionit Parlamentar për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut.
Lideri i partisë shqiptare që akuzohet se përgjatë viteve sa është në pushtet nuk ka bërë asgjë për zbardhjen e rasteve të montuara gjyqësore në të cilat e kanë pësuar shqiptarët, ka deklaruar sot se mungesa e emërimit të këtij kryetari të komisionit është shkak për ngecjen e zbardhjes së rasteve si “Monstra”, “Kumanova” e ”Brodeci”.
Ndërkohë, Ali Ahmeti nuk ka qenë në gjendje të shpjegojë se kur do të miratohet Ligji për Gjuhën Shqipe, i cili as nuk është hapur për debat. Lideri i BDI-së nuk ka dhënë shpejgime as se cilat pika të platformës shqiptare janë përfshirë në programin qeveritar. Por, Ahmeti ka thënë se gjatë takimit të sotshëm u bë një balancë e të gjitha programeve të partive politike dhe u konstatua se një pjesë e atyre përcaktimeve tashmë janë përfshirë në programin qeveritar. Ahmeti e ka përshëndetur pjesëmarrjen e përfaqësuesit të PDSH-së, Luan Tresi. /SHENJA/