Qeveria: “Lagja e Trimave” do të merret në ekspertizë të ndërkombëtarëve, që gjykimi të jetë i drejtë dhe me vend

Kryesore | Publikuar më 14.11.2017 në ora 17:58

Qeveria e RM-së do të kërkojë ekspertizë ndërkombëtare të fakteve për “Lagjen e Trimave” mbi të cilat gjykata i dënoi 37 persona prej të cilëve 8 u dënuan me burg të përjetshëm, 4 u liruan nga akuza ndërsa të tjerët u dënuan me 746 vjet heqje lirie. Në mesin e të dënuarve 19 persona janë nga Kosova, njofton Almakos.

Qëllimi i ekpertizës është të konstatojë vërtetësinë e fakteve dhe t’i japë mundësi gjykatës së apelit, që në mënyrë të drejtë ta gjykojë rastin në fjalë.

Nga Qeveria e Maqedonisë besojnë se ekspertza do të ndikojë në përmirësimin e vendimit të gjykatës.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë Mile Boshnjakovski, në vend duhet të përmbushen parimet e sundimit të së drejtës dhe sundimit të ligjit dhe se gjykatat duhet të përmirësohen që të mbajnë gjykimet dhe për të marrë vendimet duhet në mënyrë profesionale të realizohen. Sipas tij, “Lagja e Trimave” do të merret në ekspertizë të ndërkombëtarëve, që gjykimi të jetë i drejtë dhe me vend.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e përkushtuar në përmbushjen dhe promovimin e parimeve të sundimit të së drejtës dhe sundimit të ligjit. Për të gjitha rastet juridike, gjykatat duhet të mbajnë gjykimet dhe vendimet e tyre në një mënyrë shumë të kujdesshme dhe profesionale. Në këtë fazë analizohen mundësitë dhe se si të përfshihen ekspertiza ndërkombëtare”, thonë nga Qeveria, zëdhënësi Mile Boshnjakovski, për Almakos.

Deklaratën për hetim ndërkombëtar e dha ditë më parë edhe kryeminstri i vendit Zoran Zaev, ku tha se Qeveria e Maqedonisë shprehet e gatshme për hetim ndërkombëtar të rastit Kumanova.

“Deri më tani kemi pasur informacione dhe bisedime me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me modalitetet se si do të mundësohet hapja e hetimit ndërkombëtar. Nuk duam të kemi dilema për çështje të paqarta e të cilat janë në interes të qytetarëve. Besojmë se bashkë me bashkësinë ndërkombëtare do të gjejmë mundësinë për hapjen e një hetimi ndërkombëtarë për këtë rast” deklaroi më herët Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë.

Avokatja, për rastin e “Lagjes së Trimave”, Artene Iseini, ka deklaruar në rrjetin social të “facebook-ut”, se në fillim duhet të krijohen baza juridike në vend, për një hetim ndërkombëtar. Ajo shpreson për një hetim mbi bazën e së drejtës dhe të bazuar në ligj, në kushtetutën për të drejtat e njeriut.

“Pasi të jetë krijuar baza juridike për një hetim ndërkombëtarë do të rifillon gjykimi dhe më pastaj zbardhja e ngjarjeve tragjike të 9-10 majit 2015. Presim gjykim human dhe të drejtë të bazuar në Ligj, Kushtetutë dhe të Drejtën Ndërkombëtare.

Lënda “Kumanova 2015” pa hetim dhe procesuim të mirëfiltë për mua është “Mision i mundur” me një “Mbrojtje të pamundur”, thotë Avokatja Artene Iseini.

Rishqyrtimi i vendimit të gjykatës ndaj 33 të dënuarve, do të zbardh vendimarrjen e gjykatës, nëse ajo ka qenë e drejtë dhe me vend, si dhe do të zbeh dilemat e qytetarëve, veçmas protestuesve, që kanë kërkuar që drejtësia të jetë prezente në vendimin e të dënuarve.

D.Kërluku
Almakos.com