Qeveria pritet ta anulojë tenderin për gazifikimin

Ekonomi | Publikuar më 13.07.2017 në ora 11:01

Qeveria do ta anulojë tenderin për gazifikimin e Maqedonisë.  Nga qeveria thonë se është arritur vetëm një ofertë dhe në pajtim me ligjin, procedura do të anulohet. Që të mund të vazhdohet procesi i gazifikimit për shkak dorëheqjes së ish kryetarit të Komisionit për procedura të tenderit, si vendim i përkohshëm në atë funksioni është emëruar Lupço Petkuqeski, i cili është këshilltar i zëvendëskryeministrit të Çështjeve Ekonomike, Koço Angjushev, njofton Portalb.mk.

“Emërimi është vendim i përkohshëm me detyrë të vetme të punës që të finalizohet procedura e tenderit. Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në seancën e djeshme e shqyrtoi dhe miratoi informatën e procedurës së tenderit për ndarjen e kontratave për partneritet privat publik për financim, mirëmbajtje dhe zhvillim të sistemit distributor të gazit natyror në rajonet 1, 2, 3”, deklaruan nga Qeveria.

Zëvendëskryeministri i Çështjeve Ekonomike Koço Angjushev nga Triesta porositi se Qeveria me përkushtim do të punojë për gazifikimin e Maqedonisë.

“Do të punojmë në krijimin e biznes-ambientit për kompani të suksesshme, dhe jo të krijohen kompani politike nga ana e Qeverisë. Ndërtimi i infrastrukturës do të na bëhet prioritet, ndërsa pikërisht përmes infrastrukturës do të dëshmojmë se jemi të përkushtuar në lidhje rajonale”, deklaroi Koço Angjushev.

Gazifikimi i vendit paralajmërohet disa vite pas. Disa herë me radhë dështuan tenderët për gazifikimin në rajonin e Shkupit dhe rajoneve të tjera në vend. Në fazën e evolucionit u ndërpre edhe tenderi i pestë për gazifikimin e rajonit të Shkupit për shkak asaj se kompania e zgjedhur kërkonte prolongim të terminit. Për shkak ofertës të një kompanie dështoi edhe tenderi për ndërtimin e rrjetit distributor në 63 Komuna nga Maqedonia Lindore, Qendrore dhe Perëndimore.

Për gazifikimin  e Maqedonisë Qendrore dhe Lindore ishte parashikuar që të harxhohen rreth 28 milion euro, ndërsa për pjesën perëndimore të vendit së bashku me Pellagoninë 23 milion euro. Rrjeti distributor duhej të ndërtohet me partneritet privat publik.