Kryetari i Sindikatës së të punësuarve në Qendrën për Menaxhim me Kriza, Ilija Bojarovski kërkon që në krye të këtij Institucioni të vendosen persona profesional dhe jopartiak. Ai, madje akuzon kabinetin e drejtorit se nuk po e pranojnë në takim për tu njoftuar me kërkesat dhe problemet e shumta që sipas Ilija Bojarovskit, kanë anëtarët e sindikatës.
Fillimisht të vendosen persona profesional dhe jopartiak për postet drejtor dhe zv të tyre në QMK, me këtë vlerësojmë se do të ngritet standardi i të punësuarve tanë sepse sikurse njerëzit që kanë ardh në QMK, si bashkëpunëtor të rinjë duket se ashtu do të shkojnë edhe në pension. Kërkojmë që në mënyrë demokratike të udhëhiqet me institucionin tonë dhe jo të kemi trajtim sikurse shërbëtorët në shoqërinë feudalë– deklaroi Ilija Bojarovski, kryetar i Sindikatës.
Ndërkohë, drejtori i i QMK-së Agron Buxhaku e quajti joserioze deklaratën e kreut të Sindikatës Ilija Bojarovski.
Në këtë aspekt, është një person që mosangazhimin e vet, mos punën e vet e fsheh me deklarata të tilla. Është një person që nuk punon aspak dhe nuk duhet te merret seriozisht, sa u takon këtyre kërkesave është menaxhimi i institucionit që unë e bëj në bazë të buxhetit edhe në bazë të mbarëvajtjes dhe të idesë time se si duhet të vlerësohen dhe të harxhohen mjetet që edhe ashtu janë të pakta dhe asnjëherë nuk janë tejkalu, kështu që nuk ka as shkelje ligjore as shkelje morale për të bërë akuza të tilla- Agron Buxhaku, Qendra për Menaxhim me Kriza.
Nuk dihet nëse edhe në Qeverinë e re të Zaev Agron Buxhaku do të mbetet drejtori i QMK-së, kjo pasi partnerët akoma nuk kanë diskutuar për ndarjen e drejtorive.
Melihate Rustemi