24 March
Alsat-M ishte ndër televizionet e pakta në Maqedoni që raportoi në mënyrë objektive dhe të balancuar para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Sipas një analize mbi raportimin e mediave, të realizuar në kuadër të projektit për monitorimin e demokracisë në Maqedoni, MODEM, ALSAT ka qenë shembull përballë Televizionit Alfa, Kanal 5 Plus, Tv Nova dhe Sitel që kanë shkelur rëndë parimin e objektivitetit, informimit të paanshëm të ngjarjeve dhe mendimit të lirë.
U konstatua se shumë televizione kombëtare: Alfa, Kanal 5, Kanal 5 Plus, TV Sitell nuk i kanë respektuar dispozitat e Nenit 61, veçanërisht ato për informim objektiv të ngjarjeve dhe trajtim të barabartë të mendimeve të ndryshme. U konstatua pajtueshmëri në politikën redaktuese, që është kundër dispozitës për pavarësi dhe përgjegjësi të redaktorëve, gazetarëve dhe autorëve gjatë krijimit të programeve dhe politikës redaktuese – u shpreh, Zoran Trajçevski, drejtor i Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuele.
Redaktori Shkëlzën Aqifi sqaroi se Alsat-M gjithmonë ka qenë në kërkim të lajmit të verifikuar dhe të balancuar, si dhe i hapur për të gjitha partitë politike në mënyrë të barabartë.
Pa dyshim se në zgjedhjet e fundit, ne i respektuam në tërësi rregullat për informim të procesit zgjedhor por edhe në ditën e zgjedhjeve. Këtë e tregojnë anketa të ndryshme të insitucioneve relevante. Alsat-M dëshmoi se në Maqedoni, edhe në këto kushte të krizës së demokracisë dhe vlerave, mund të mbahet në jetë e vërteta, gazetaria e cila duhet të jetë në funksion të publikut dhe jo të politikës ose partive – tha Shkëlzen Aqifi, Redaktor në Alsat-M.
Drejtoresha Ekzekutive e Këshillit për Etikë në Media, Marina Tuneva theksoi se qytetarët disa herë ishin ankuar se media të caktuara gjatë periudhës së zgjedhjeve përdornin gjuhë të urrejtjes, madje edhe thirrje për dhunë. Një nënvizim të tillë e bëri edhe ambasadori holandez në vend Vauter Plomp.
Ka shumë gjuhë të urrejtjes, retorikë akuzuese, stereotipe madje edhe demonizim. Kjo është diçka që nuk i shërben asnjë interesi konstruktiv.. kjo nuk iu shërben qytetarëve të Maqedonisë dhe duhet të ndalet, thjeshtë për shkak se nuk i shërben interesit konstruktiv dhe madje mund të jetë e rrezikshme – tha Vauter Plomp, ambasador i Holandës në Maqedoni.
Eksperti belg për politikë mediatike, Zhan Fransoa Furnemon tha se Maqedonia, si një vend që synon integrimin në BE duhet patjetër të reformojë klimën mediatike, duke ndjekur shembullin e Francës, Belgjikës, Anglisë dhe Gjermanisë, dhe duke respektuar standardet evropiane: atë të pluralizmit, objektivitetit, paanësisë dhe përgjegjësisë.
Anesa Aliti