Gjithsej 73 reforma në 11 sfera janë paraparë në tremujorin e parë të planit të ashtuquajtur 3-6-9 për procesin reformues. Detajet janë prezentuar sot në Sekretariatin për Euro Integrime, para përfaqësuesve të sektorit joqeveritar, ndërsa paraprakisht zëvendës kryeministri për Euro-integrime, Bujar Osmani mbajti edhe një brifing me gazetarë ku njoftoi për rrjedhën e implementimit të reformave. Në një deklafratë për media, Osmani tha se problem kryesor mbetet implementimi për shkak të periudhës së limituar, si pasojë e pushimeve dhe organizimit të zgjedhjeve lokale.
Përveç kësaj do të duhet edhe përfshirja e opozitës në përpilimin dhe zbatimin e reformave të cilat do të jenë kyçe për debllokimin e procesit integrues. I pyetur nga gazetarët, Osmani u zotua se ligji për gjuhën shqipe do të miratohet në tremujorin e parë dhe në rast se Komisioni i Venedikut do të vonojë dhënien e mendimit, atëherë nuk do të presin por ligji do të hyjë në Kuvend paraprakisht. >