Fatmir Limani, djali i dëshmorit Beqir Limani ka postuar një video material ku protagonist është Harun Aliu, ish-komandanti i UÇK-së i njohur si Kushtrimi.
Ja postimi i plotë i Fatmir Limanit:
Pas publikimeve dhe komentimeve të ndryshme kohëve të fundit me tendencën që të shtrembërohet e vërteta mbi atë se cilët kanë qenë figurat kyçe të Njësiteve të Para Guerile, që operonin në kuadër të Zonës Operative numër 2 vlerësoj se duhet të ndaj një pjesë të deklaratës të Harun Aliut – Kushtrim Hoxha, i cili pranoi të bëhet anëtarë i njësiteve guerile në
vitin 1997 që operonin në këtë anë nga viti 1993 të transformuara nga Këshillat Popullorë të Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Me kohë e vërteta do të dalë në shesh dhe publiku do të kuptojë se cilët ishin themeluesit dhe guerilasit e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përcaktuara me Zona Operative I, II, III, IV dhe V.
Sot thuajse të gjithë janë bërë Komandantë të UÇK-ve, ushtarët e vetëm kanë mbetur të sinqertët dhe të lënët rrugëve. Janë kohëra përvetësimesh të veprimtarive, por një ditë gjithësecili do të japë llogari dhe do të përgjigjet për shtrembërim të historisë.
Ata të cilët i’u përgjigjën kushtrimit të lirisë 5 minuta më 12, paraqiten si themelues, udhëheqës dhe luftëtarët më të përbetuar.
Në atë kohë veprimtarie unë dhe babai im njihnim vetëm përfaqësuesin e Sektorit të Veçantë Ali Ahmetin, nga i cili janë marrë të gjitha urdhërat. Të gjithë të tjerët janë të rradhitur pas tij deri në kohën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Është e rrugës që të rinjtë ose të vonuarit e këtyre proceseve mos të tentojnë që të dalin si: “mazi përpara pelës”.
Në kohët e sotme u janë ndarë çertifikata veteranësh shumicës, të cilët asaj kohe iknin nga ne ose bënin pushime në bregdete të ndryshme. Figurat e vetme të cilat meritojnë çertifikata veteranësh nga Kërçova janë: guerilasit e Zonës Operative numër 2 që dihen me emër dhe mbiemër, dhe të vetmit ushtarë të uniformuar nga kjo anë Atip Alimi dhe Feti Abazi. Të tjerët
mund të shpërblehen me çertifikata veteranësh, por të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Ushtarët ose guerilasit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që vepronin në kuadër të Zonës Operative numër 2 ishin në gishta.
Ps: Intervista e plotë ekziston në arkiv personal….!”, ka shkruar Fatmir Limani.