Rrëzohen akuzat për përdhunim kundër themeluesit të Wikileaks

Bota | Publikuar më 19.05.2017 në ora 18:16

Kryeprokurira e Suedisë ka rrëzuar akuzat për përdhunim kundër themeluesit të Wikileaks Julian Assange, raporton AA.

Në një deklaratë me shkrim nga Kryeprokurira e Suedisë theksohet se prokurorja Marianne Ny ka vendosur mos vazhdimin e hetimeve për “akuzën e përdhunimit”, që ka vazhduar afërsisht për 7 vite kundër Assange, themeluesit të faqes së internetit Wikileaks.

Assange në nëntor të vitit të kaluar ishte marrë në pyetje në Ambasadën e Ekuadorit në Londër në lidhje me akuzat e drejtuara ndaj tij për përdhunim. Atë ditë përpara ambasadës u mbajt një protestë në mbështetje të Assange, dhe ishte bërë thirrje “për faljen e Julian Assange” ndaj Donald Trump i cili atë javë do të merrte detyrën e presidentit nga Barack Obama.

Trump gjatë fushatës zgjedhore ishte shprehur se “jam i dashuruar me Wikileaks”. Ndër të tjera bëhet e ditur se Wikileaks publikoi disa informacione në lidhje me kandidaten për presidente nga Partia Demokratike Hillary Clinton, gjë e cila kishte ndikuar negativisht në fushatën zgjedhore presidenciale të Partisë Demokrate.

Bëhet e ditur se 45 vjeçari Assange jeton që prej 5 vitesh në një dhomë në Ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Gjykata britanike në vitin 2012 për nënshtetasin australian Julian Assange kishte vendosur ekstradimin e tij në Suedi, ku ai akuzohej për përdhunimin e dy grave në vitin 2010, por Assange i ka refuzuar këto akuza. Assange menjëherë pas këtij vendimi në qershor të vitit 2012 u strehua në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për shkak se kishte rrezik se mund të ekstradohej në Suedi dhe më pas të dërgohej në SHBA.