Rrugicat e lagjeve shqiptare të Shkupit mbeten akoma të papastruara nga dëbora dhe akulli. Si të tilla, ata vështirësojnë qarkullimin e lirshëm të qytetarëve dhe makinave, ndërsa shumicën e rasteve paraqesin edhe rrezik për shkaktim të aksidenteve të këmbësorëve. Në lagjet Seravë dhe Dizhon të Komunës së Çairit janë pastruar vetëm rrugët kryesore, ndërkohë numri më i madh i rrugicave brenda këtyre lagjeve janë të mbuluara nga shtresa të borës dhe akullit edhe pse janë mjaft të frekuentuara nga qytetarët.
Banorët e lagjes së Seravës shprehen të shqetësuar nga kjo gjendje e rrugëve, duke thënë se përbëjnë shumë rrezik për kalimtarët.
“Çfarë të bëjmë, kujt t’i ankohemi?! Ato duhet të shofin vet, televizionet janë çdo ditë. Në do të durojmë, jemi mësuar të durojmë gjithë jetën”, tha një qytetar.
“Mos pyet, mos mbetsh jetim se kur mbet jetim atëherë nuk ka çfarë të të bëjë askush. Kush ti pastron, ne vetëm popullata sa kemi pasur mundësi me i pastru. Është e vështirë sidomos për neve të moshuarit. Nëse rrëzohem nuk do të mund të ngritem në këmbë kurrë”, tha një qytetar tjetër.
“Çfarë të komentoj, shifet vet. Normal që është rrezik, jo vetëm për ne të rinjtë por edhe për të moshuarit është akoma më rrezik. Ne kemi njerëz të moshuar, të sëmurë, kalojmë nga kjo rrugë por çfarë të bëjmë, kompetencat nuk janë në duart tona”, deklaroi një qytetar.
Nga ana tjetër, banorët e lagjes së Dizhonit shprehen se nga dje ka filluar pastrimi i rrugëve por porosisin që të ndërmerren më shumë masa.
Disa nga banorët e këtyre lagjeve kishin dalë vetë që të pastrojnë akullin në rrugë.