13 Dhjetor
Të mërkurën e ardhshme. Gjykata në Selanik pritet të marrë vendim përfundimtar nëse të arratisurit Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, do të ekstradohen në Maqedoni. Seanca e sotme zgjati thuajse katër orë. Që të dy hynë në sallën e gjykatës me pranga në duar – Boshkovski i veshur me tuta sportive, Grujevski me pallto dhe këmishë dhe mbante një qese me gazeta maqedonase, që mbrojtja i parashtroi në gjykatën në Selanik.
Por, me kërkesë të të akuzuarve, avokatët grekë të Grujevskit dhe Boshkovskit kërkuan nga gjykata që të largohet opinioni. Një pjesë e sqarimit ishte se ka gazetarë nga Shkupi, duke treguar Alsat M-në si media në gjuhën shqipe. Gjykata e pranoi kërkesën. Disa gazetarë grek, bashkëshortet e Grujevskit dhe Boshkovskit dhe avokati nga Shkupi, Petar Vasilev dolën nga salla e gjykatës. Avokati grek Konstantinos Haxhiaunu sqaron se është praktikë që për raste të këtilla të largohet opinioni.
Në bisedat jozyrtare me një pjesë të policisë gjyqësore, mësuam se ish-funksionarët në DSK, kanë sqaruar se në Maqedoni kanë përgjuar islamistë radikal, por se këtë nuk e kanë bërë në mënyrë të paligjshme. Kanë pohuar se në Qeverinë e re janë vendosur struktura të UÇK-së.
Si dëshmitar në gjykatën e Selanikut sot, dëshmoi avokati nga Shkupi Petar Vasilev. Ai sqaronte se çfarë procedure është duke u zhvilluar kundër Grujevskit dhe Boshkovskit.
Grujevski dhe Boshkovski në gjykatën e Selanikut paraqiten për herë të tretë. Dy herët e kaluara, gjykata tentoi t’i gjykojë për pasaportat e tyre të rrejshme. Grujevski e ndërroi emrin në Hristo Ivanov, derisa Boshkovski në Nexhbi Hasan. Për këtë rast atyre do t’u gjykohet vitin e ardhshëm në muajin maj.