Shabani: Së bashku të arrijmë synimet që ka klubi këtë sezon (Video)

Sport | Publikuar më 13.02.2018 në ora 13:42

Skuadra e Shkupit sezonin pranveror do ta fillojë në cilësinë e nikoqirit ndaj skuadrës së Akademija Pandev.

Sigurisht se afati kalimtar i janarit ka bërë që Shkupi të jetë një ndër skuadra më aktive duke sjellë përforcime shumë cilësore si Bllagoja Ljamçevski, Rron Broja, Stefan Vujçiç, Bllazhe Ilijoski, Basilio Ndong, Mariano Ondo, Emre Can Atila dhe në orët e fundit firmë në kontratën e Shkupit vuri edhe boshnjaku me shtetësi austriake, Toni Tipuriç.

Trajneri Ardian Nuhiu, për ndeshjen e të mërkurës ka mjaft zgjedhje se me cilin formacion do ta fillojë ndeshjen ndaj Akademija Pandev, ndërsa për duelin në fjalë është prononcuar sulmuesi i krahut, Bunjamin Shabani.

“Duke filluar nga përgatitjet që zhvilluam në Antali dhe me zhvillimin e ndeshjeve kontrolluese treguam se jemi maksimalisht të përgatitur dhe shpresoj që në ndeshjen e parë sezonale ndaj Akademija Pandev të fitojmë tri pikë, pasi të gjithë jemi të përgatitur maksimalisht. Mendoj edhe lojtarët e rinj të cilët janë afruar gjatë afatit kalimtar do të japin maksimumin e tyre, ata janë pritur mjaft mirë nga të gjithë dhe besoj që së bashku të arrijmë synimet që ka klubi këtë sezon”, ka thënë Shabani.

Shkaku i punimeve që po kryhen në stadiumin e Çairit, Shkupi ndeshjet e para sezonale si nikoqir do ti luajë në stadiumin “Boris Trajkovski” në lagjen Maxhari në Shkup. Ndeshja Shkupi – Akademija Pandev fillon në orën 14:00, ndërsa drejtësinë do ta ndajë Dejan Jakimovski.