SHKA ‘Sofra Pejane’ hyn në listën e Trashëgimisë Kulturore për mbrojtje nga shteti, falënderon kryeministrin Haradinaj (Foto)

Kulturë | Publikuar më 11.10.2017 në ora 19:32

Një hap i madh drejt ruajtjes, dokumentimit dhe promovimit të vlerave qytetare, kombëtare muzikore të trashëgimisë shpirtërore konsiderohet futja në listën e Trashëgimisë për mbrojtje të përkohshme e me tendencë që kjo të bëhet e përhershme e Shoqërisë Kulturo-Artistike ‘Sofra Pejane’ nga Peja.

SHKA ‘Sofra Pejane’ nga sot është në mesin e shtatë aseteve të para të trashëgimisë shpirtërore në Republikën e Kosovës që kanë hyrë në këtë listë.

E gjithë kjo në saje të vlerave autentike muzikore, traditës shekullore, resurseve njerëzore profesionale, kultivimit dhe ruajtjes së vlerave të mirëfillta dhe prezantimit të tyre në hapësirat mbarëshqiptare që kjo shoqëri ka paraqitur ndër vite, qoftë si organizim po ashtu edhe si formacion muzikor. Vet fakti që tradita e Sofrës Pejane prekë gati dy shekuj ekzistimi, dëshmon rëndësinë që kishte Sofra për qyetetarinë pejane, bartur ndër breza.

Lajmin e ka bërë të ditur sot ministri i ri i Kulturës Rinisë dhe Sportit në qeverinë Haradinaj, Kujtim Gashi në faqen zyrtare të MKRS-së.

“Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë vendim për aprovimin Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme. Në mesin e shumë propozimeve, në Listë janë përfshirë: Vallet e Karadakut, Jeta dhe Veprimtaria gojore e Xhemajl Abrisë, Kërcimet e Drenicës, Sofra Pejane, Ushqimet tradicionale dhe Lojëra tradicionale. Gjithashtu, për këtë kategori janë shqyrtuar edhe dy propozime si Veprimtaria e SH.K.A. “Agimi” në Prizren dhe Zejet artistike, e për te njëjtat Grupi punues ka kërkuar informata plotësuese para përfshirjes në Listë. Deri më tani, nuk është larguar asnjë aset nga lista, dhe janë përgatitur edhe 92 propozime tjera për t’u futur në listën e asteve për mbrojtje të përhershme.”-thuhet në njoftimin e ministrit.

 Shoqata Kulutrore-Artistike “Sofra Pejane”

Deri tek kjo renditje dhe ky plasim për SHKA ‘Sofra Pejane’, pasur parasyshë fillimisht rëndesinë kapitale dhe shpirtërore të Sofres Pejane për qytetin me civilizim të lashtë, Instituti për Mbrojtjen e monumenteve në rajonin e Pejës (QRTK-Pejë) është përkushtuar në dokumentimin e këtyre vlerave, ku në bashkëpunim me SHKA “Sofra Pejane”, janë përkushtuar në dokumentimin dhe promovimin e Sofrës si aset kombëtarë. Fillimisht është punuar dokumentari për veprimtarinë gati dy shekullore të sofrës, për tu pasuar edhe me pergatitjen e materialeve për botimin e librit ku do të shpërfaqet veprimtaria e sofrës ndër breza e ku në kontribut janë angazhuar këngëtari i njohur shqiptar Ramadan Krasniqi-Dani, autori Hivzi Krasniqi, këngëtarët e Sofrës Fitim Behluli, Vëllaznim Sinani, Sadik Sadiku, prof. Dr, Valton Beqiri, klarinetisti i njohur shqiptar Sead Muqa-Sei e e tëra kjo në bashkëpunim me drejtoreshën e QRTK-Pejë, prof. Shpresa Gjonbalaj.

Në një takim të para pak ditëve të kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj me 5 SHKA-të më të njohura dhe më të lashta të qytetit të Pejës, SHKA ‘Sofra Pejane”, SHKA “Përparimi”, SHKA ‘Halit Kasapolli’, SHKA ‘Marigona’ dhe Okteti ‘PEJA’, e ku kanë marrë pjesë edhe personalitete të njohura muzikore të Pejës, përfaqësues të këtyre shoqërive i kanë kërkuar kryeministrit kthim të vëmendjes qeveritare nga kultura pejane, për çka ky i fundit ishte zotuar se efektet e menjëhershme në këtë drejtim do të vërehen Brenda pak ditësh për të gjitha këto Shoqëri.

Lajmi është bërë i ditur edhe nga kjo shoqëri në një postim në faqen e tyre zyrtare në facebook.

“LAJM I MADH PËR PEJËN DHE KULTURËN PEJANE. Zyrtare: SH.K.A. ‘Sofra Pejane’ nga sot është futur në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme nga shteti. Falëmnderit Kryeministër i Republkës së Kosovës, z.Ramush Haradinaj, falëmnderit MKRS dhe QRTK – Pejë.”-ka shkruar pasdite SHKA ‘Sofra Pejane’. /Telegrafi/