Shkencëtari Stephen Hawking mbush 75

Kuriozitete | Publikuar më 08.01.2017 në ora 12:02

Ai është fizikanti më i famshëm që prej Albert Ajnshtajnit dhe për shumë gjeniu më i madh i kohës sonë.

Më 08.01.2017 profesori nga Kembrixhi feston ditëlindjen e tij të 75-të, dhe ka jetuar në këtë mënyrë shumë më tepër nga sa mendonin dikur mjekët. Karriera e Hawking-ut si studiues nisi pikërisht me një goditje të fatit. Në moshën e 20-vjeçare – kur sapo kishte nisur tezën e doktoratës – u shfaqën shenjat e para të një sëmundjeje fatale të palcës kurrizore, të sklerozës laterale amiotrofike (ALS).

Shpejt sëmundja e lidhi atë pas karriges së invalidit. Ai humbet zërin dhe mund të komunikojë vetëm përmes një aparati. Megjithë paaftësinë e tij fizike, fizikanti ia del mbanë si jetës së tij private, për të cilën dëshmojnë dy martesat dhe tre fëmijët – edhe asaj profesionale. Si student isha i talentuar, por dembel, thotë Hawking-u për veten e tij. Vetëm pas fillimit të sëmundjes u fokusova tërësisht tek studimet. Në vitin 1979 ai u bë profesor në Kembrixh, në katedrën ku punonte dikur legjendari Isak Njutoni.

Nga e ka origjinën materia?

Në Kembrixh Hawking-u zhvilloi teoritë e tij më të rëndësishme për fizikën: nisur nga teoria e përgjithshme e relativitetit e Ajnshtajnit, ai vërtetoi se shpërthimi i madh duhet të ketë nisur me një të ashtuquajtur “singularitet” para rreth 14 miliardë vjetësh – si një pikë tepër e vogël, e paimagjinueshme dot, e cila nuk mund të kuptohet me formulat dhe ligjet e sotme të fizikës .

Por tema e preferuar Hawking-ut janë vrimat e zeza – monstera galaktike që përpijnë me forca të mëdha graviteti çdo gjë që u vjen afër. Gjetja e tij kryesore: vrimat e zeza nuk ekzistojnë përgjithmonë, por ato zhduken ngadalë, për shkak se çlirojnë një rrezatim – rrezatimin e Hawking-ut.

Kjo gjë ende nuk është provuar, prandaj edhe Hawking-u nuk ka marrë deri tani Çmimin Nobel në Fizikë. Megjithë mungesën e provave shumica e ekspertëve janë të bindur për ekzistencën e rrezatimit të Hawking-ut.

Bazat e fizikës të kuptueshme për të gjithë

Po a është Hawking-u një Albert Ajnshtajn i dytë, sikurse besojnë shumë vetë? Jo, thonë jo pak shkencëtarë të tjerë. “Kontributet e Hawking-ut sigurisht nuk janë aq të rëndësishme sa ato të Ajnshtajnit”, thotë profesori i fizikës nga Hamburgu Klaus Fredenhagen. “Teoria e Relativitetit e Ajnshtajnit ka zhvilluar gjëra krejtësisht të reja, që nuk kishin ekzistuar më parë.” Kurse Hawking-u kryesisht vepron në kuadrin e teorive ekzistuese duke bërë aty plotësime të rëndësishme.

Por e qartë është një gjë: Hawking-u ka arritur si asnjë tjetër që ta bëjë kozmologjinë interesante për një publik të gjerë. Në vitin 1988 ai botoi librin e tij “Një histori e shkurtër e kohës”. Ky libër u bë libri më i suksesshëm shkencor-divulgativ i kohërave. Edhe pse përmbajtja e tij nuk është aspak e lehtë për t’u kuptuar deri tani nga ky libër janë shitur miliona kopje, duke e bërë atë një figurë kult. Më vonë ai shkroi bashkë me të bijën Lucy, edhe një seri librash për fëmijë./DW/

8 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)