Ndërsa moshatarët e tyre po bëjnë përgatitjet e fundit për fillimin e vitit të ri shkollor 2017-18, fëmijët e fshatit Kllukovec të Velesit po vazhdojnë lojën në oborrin e shkollës dhe rrugëve të fshatit. Dëshira për shkollën është zbehur apo thuajse është humbur për shkak të kushteve të vështira dhe joadekuate për të nisur procesin edukativo arsimor në shkollën e fshatit.
Pushimi veror duket se do të vazhdojë edhe për një afat të pacaktuar për këta fëmijë të fshatit Kllukovec të cilët mësojnë në shkollën fillore “Vasill Gllavinov”. Kjo për arsye se premtimet të cilat u dhanë për ndërtimin e një objekti të ri shkollor nuk u realizuan deri më sot.
Banorët e fshatit ndjehen të zhgënjyer nga premtimet e shumta nga Ministria e Arsimit dhe Komuna e Velesit për ndërtimin e një objekti të ri shkollor. Madje, ata paralajmërojnë aktualizimin e bojkotit të mësimit që në ditën e parë të këtij fillim viti.
Mendimet e prindërve janë që bojkoti të fillojë derisa nuk e arrijmë atë qëllimin që duhet të bëhet do të ketë bojkot… Kisha lut ministrinë e Arsimit që të ndërmerr masa ndaj komunës së Velesit, të mirën vesh komuna me ministrinë e të realizojnë diçka se afat më nuk ka, ka vetëm dy javë, për ato dy javë nëse nuk realizohet asgjë bojkoti do të fillojë- tha një banor i fshatit.
Përveç kërkesës për ndërtimin e objektit të ri shkollor, prindërit janë këmbëngulës edhe për pranimin e mësimdhënësve të ri. Siç thonë ata, vitin e kaluar shkollor nxënësit e klasës së parë e kanë përmbyllur pa mësimdhënës.
Nëqoftëse nuk meret ndonjë iniciativë nga Ministria e Arsimit, nga komuna, nga ato të cilët janë përgjegjës, sigurisht se do të vazhdojë bojkoti nga 4 shtatori. Përkrahja morale ishte në nivel maksimum por në realitet ajo çka duhet të bëhet, asgjë nuk është realizuar dhe aspak nuk u ka interesu nga momenti që janë largu para kamerave, asnjë njeri nuk është interesu për fatin e këtyre fëmijëve…. kërkesat tona janë shumë të qarta,të ndërtohet objekti i ri shkollor që të kenë fëmijët kushte minimale për mësim dhe të kenë mësimdhënës për çdo klasë- u shpreh një tjetër banor.
Nga Ministria e Arsimit nuk dhanë asnjë përgjigje se ku ka ngelur procedura për ndërtimin e objektit të ri shkollor në Klkukovec. Ndërkohë, kryetari i Velesit Sllavço Çadiev tha se një ndër pengesat që janë paraqitur është mungesa e aktit të përgjithshëm për këtë vendbanim.
I’u drejtuam Ministrisë së Arsimit me kërkesë që të paktën të bëjmë rikonstruimin e shkollës derisa nuk zgjidhen të gjitha këto mosmarrëveshje, gjegjësisht nuk sillet akti i përgjithshëm për këtë vendbanim. Nga të gjitha vendbanimet në Veles, respektivisht fshatrat, vetëm për këtë vendbanim nuk mund ta sjellim këtë akt të përgjithshëm ndërkohë që tashmë një vit e gjysmë është në procedurë- deklaroi Sllavço Çadiev, kryetar i Velesit.
Në shkollën fillore “Vasill Gllavinov” në Kllukovec mësojnë rreth 50 nxënës në paralele të kombinuara të cilët përballen me kushte jashtë standardeve normale për mësim. Pikërisht për këtë qëllim, vitin e kaluar nxënësit e shkollës bojkotuan mësimin për një muaj rresht.
Melihate Rustemi