Drejtori i Qendrës së kulturës në Tetovë, Haki Fazliu sot ka njoftuar se borxhet e akumuluara të Teatrit të Tetovës janë shlyer. Fazliu thotë se Qeveria dhe Ministria e kulturës ka gatishmëri për të ndihmuar për tejkalimin e problemeve duke siguruar 60 mijë euro.
“Për shkak se me mjete financiare ne kemi shlyer thuajse të gjitha borxhet e trashëguara ashtu që operatori ekonomik është këndellë”, thotë Fazliu.
Sipas tij, nëse çdo gjë shkon sipas planit dinamik të ndërtimit, shpejt pret të mbarojë edhe ndërtimi i objektit të teatrit në Tetovë.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe përpëlitemi për ndërtimin e këtij objekti e këtyre dy institucioneve, kemi harxhuar më shumë buxhet se sa ka patur në vitin 2017”, sqaron ai.
Aktori Burhan Amiti dyshon se borxhet e akumuluara të teatrit që kanë arritur shuma astronomike nuk janë të qarta se si janë krijuar. ”E paqartë është se si është shlyer borxhi i teatrit rreth 3,672,000 denarë”, pyet Amiti dhe shton se për shkak të borxheve të akumuluara ndër vite ka qenë e bllokuar edhe xhirollogaria e teatrit disa muaj me radhë.
Sipas tij, është e çuditshme se si janë grumbulluar këto borxhe kur dihet se çdo projekt teatral ka buxhetin e vet të planifikuar.
“Është e dhimbshme që tre vitet e fundit anulohen nga një ose dy shfaqje brenda vitit, ndërsa vetëm në vitin 2017 u anulua edhe mbajtja e Festivalit të teatrove, me arsyetimin se do të paguhen borxhet”, thotë Amiti.
Ai kërkon publikisht të jepet sqarim se mos borxhet shlyhen nga paratë e planifikuara për dy shfaqet e parealizuara të vitit 2017 dhe të festivalit.
Delvina Kërluku
Almakos.com