Shtatë fëmijë në Hajvali pa bukë, po ‘ngrihen’ nga të ftohtit! (FOTO)

Kosovë | Publikuar më 11.01.2017 në ora 10:30

Shtatë fëmijët e familjes Xhaferi po jetojnë të mbërthyer nga të ftohtit dhe uria. Me babanë e sëmurë e të paaftë për punë ata shkojnë në shkollë zbathur e pa bukë

Të ftohtit ua ka mpirë këmbët dhe uria ua ka shtangur shikimin.

Ata nuk kanë më shikim fëmijëror në fytyrat e tyre, është zëvendësuar me shpresën për t’u ngopur bukë, lutjet që të kenë këpucë e çizme që të shkojnë në shkollë, bluza, pantallona… Trupi i njomë i shtatë fëmijëve të familjes Xhaferi në Hajvali është kërrusur brenda rrobave të huazuara e leckosura duke tentuar të ngrohet në dhomën e vetme të shtëpisë ku qëndron një stufë e vogël, e rreth së cilës familja mblidhet të ngrohet duke i bërë më shumë vend foshnjës njëmuajshe me shpresë që të mos e ngrijë i ftohti.

Pizhamet brenda rrobave janë luks për këta fëmijë. Luks dita-ditës po shndërrohet edhe ushqimi për ta. Nëna e tyre Igballja ka në magje miell të gatuajë bukë vetëm edhe për një ditë. Deri të martën kjo familje ka shuar urinë nga ushqimet që një ditë para natës së Vitit të Ri ua kishte sjellë një fqinj. Tani kur këto ushqime kanë mbaruar, dy prindërit e shtatë fëmijëve kanë mbetur dhe pa përkrahjen e shtetit që ua ka ndalur ndihmën sociale prej 136 eurove, të vetmet të ardhura që merrnin si familje në muaj.

Kryefamiljari Milaim Xhaferi rrëfen për “Zërin” se po përballen jo vetëm me të ftohtit, por edhe me urinë.

Shteti ua ndali socialin, shtatë fëmijë mbeten pa bukë

Xhaferi thotë se familja e tij rrëshqiti drejt varfërisë pasi ai u prek nga dy sulme infarkti. Tash ai ka të vëna në zemër dy herë stentat, kurse së fundmi nga një sulm në tru edhe këmba e djathtë i është dëmtuar dhe nuk mund të shkelë lirshëm me të. Ai tregon se derisa qëndronte mirë me shëndet dhe mund të bënte punë krahu arriti ta ndërtonte shtëpinë, por jo ta bënte të përdorshme. “Për infarkt të parë se kisha gajle, u stabilizova, po kur më kapi infarkti i dytë e sulmi në tru më llomiti krejt, nuk po mundem të bëj hiç më punë krahu”.

“Nuk po kam mundësi më të ballafaqohem me skamjen. Po më rrinë fëmijët pa ngrënë e pa u veshur, pa krejt senet. Nuk kemi as shporet”, thotë Xhaferi, duke bërë të ditur se për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike vajza e madhe është detyruar të ndërpresë shkollën. Ajo ka kryer vetëm klasën e nëntë dhe tani nuk vijon shkollën e mesme.

Familjes tani i është ndalur dhe ndihma sociale nga shteti. “Socialin e kam marrë 136 euro, ma kanë ndalë”, thotë ai. Xhaferi tregon sesi në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë i kanë kërkuar që të sjellë dokumentin që verifikon se vajza e madhe është në shkollë. “Këta po lypin vërtetim që është në shkollë, e unë vërtetim që është në shkollë nuk po kam mundësi të siguroj. Nuk kisha mundësi t’ia paguaj biletën, as t’i blej veshmbathje. Fëmija i vogël i ka një muaj dhe pavarësisht kësaj ma kanë ndalë socialin”, thotë ai.

Ndonëse ka një vajzë njëmuajshe kësaj familjeje nuk i takon sociali, edhe pse me ligj diçka e tillë nuk kundërshtohet. Me Ligjin për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë të drejtën e ndihmës sociale në kategorinë e dytë e realizon familja me një anëtar të familjes së aftë për punë, por që ka të paktën një fëmijë nën moshën pesë (5) vjeç. Tani, për të siguruar bukën e gojës fëmijët e kësaj familjeje dalin të mbledhin hekura. “Sa për të marrë një kafshatë bukë të gojës del djali i vogël 12 vjet dhe i madhi 16 vjet të mbledhin hekura”. Xhaferi druhet se dhe djali i madh do ta ndërpresë shkollën në pamundësi që të paguajë biletën, të ketë veshmbathje dhe ushqim. Ushqimet që siguron i merr hua nëpër dyqane, dikush thotë se ia fal borxhin e dikush ia kërkon të hollat që të paguajë borxhin për bukën që ka marrë hua. Dhe kur dikush nga shokët e tij del t’ia jap 15 euro, siç shprehet ai, shkon dhe lanë borxhin e vet rri pa barna.

Nuk kanë dru për ngrohje, as energji elektrike

Dyshemeja e dhomës së vetme që përdoret nga familja si dhomë ndeje, kuzhine dhe ku flenë është shtruar me dërrasa mbi dhe, në të cilën është vendosur vetëm një copë tepihu e që Xhaferi tregon se e ka sjellë nga mbeturinat ku ishte hedhur. Në këtë dhomë dhe mbi këtë dysheme disa anëtarë të familjes flenë mbi sfungjerë dhe të tjerët në disa divane që po ashtu janë të vjetër dhe i janë sjellë kësaj familjeje nga një qytetar që kishte vendosur t’i hidhte në mbeturina. Përderisa korridori dhe dhomat tjera janë të shtuara nga dheu, brenda tyre të ftohtit dhe lagështira të ndalë frymën.

Dyert dhe dritaret e shtëpisë në pamundësi për t’i blerë të reja i janë vendosur të vjetrat. Xhaferi thotë se ku ka hasur në dyer dhe dritare që të tjerët i kanë hedhur si të papërdorura për veten tyre, i ka marrë dhe i ka sjellë e vendosur në dritaret dhe dyert e shtëpisë së tij. Tregon se nuk kanë mundësi të blejnë as dru. E energjinë elektrike shpesh ia ndalin në pamundësi për ta paguar. Kurse dru për të ndezur stufën ai dhe fëmijët mbledhin nëpër shtëpi të braktisura, të rrënuara ku shkëputin ndonjë dërrasë shpeshherë të kalbur.

Megjithëkëtë, kjo stufë që rrallë mbushet dru nuk arrin të ngrohë dhomën ku të ftohtit depërton nga dyert dhe dritaret e vjetra. Akulli përreth dritareve është ngjitur jo vetëm nga jashtë shtëpisë, por edhe nga sipërfaqja e brendshme në dhomë. Dy prindërit pranë dritareve kanë vendosur copa rrobash që të ndalin të ftohtit. Një nga dritaret e kësaj dhome ka të thyer xhamin, por Xhaferi thotë se do ta përballonin të ftohtit po të kishin ushqim të mjaftueshëm dhe veshmbathje për fëmijët. Kollitja e fëmijëve ndërprenë herë pas here vajin e fëmijëve. Me gjithë gjendjen e rëndë shëndetësore, ai thotë se ka punuar punë krahu për të sjellë diçka në shtëpi.

Nëna s’ka rroba për foshnjën

Për të blerë një stufë ai thotë se ka copëtuar dru dy ditë tek një familje dhe me 30 eurot që ka marrë ka blerë atë. Kurse shporet nuk ka mundësi të blejë.

“Dy ditë i kam çarë pesë metra dru dhe kam marrë 30 euro me të cilat pastaj e bleva (stufën) që të mos ftohen fëmijët dhe më nuk munda të punoj. Përveç kësaj stufe asgjë të gjallë tjetër para shpirtit nuk kemi”, shprehet ai.

Bashkëshortja e tij Igballja thotë se fëmijët shkojnë në shkollë pa ngrënë bukë e shpesh kur kthehen nuk ka me çka t’ua shtroj sofrën. Igballja nuk ka rroba as për foshnjën. E ka mbështjellë atë më një batanije të përdorur e destinuar për divane e jo për foshnje. Nga kequshqyerja e saj ajo thotë se nuk ka dhe qumësht gjiri që ta ushqejë foshnjën, e cila ende pa mbushur një muaj po përballet më varfërinë. Foshnjës nuk kanë të holla t’i blejnë qumësht shtesë.

Fëmijët e kësaj familjeje nuk dinë as numrin e këpucëve. Ata nuk kanë blerë kurrë këpuca

Fëmijët e kësaj familjeje nuk dinë as numrin e këpucëve. Ata nuk kanë blerë kurrë këpuca. Këmbët e tyre të vogla janë mpirë mbi dyshemenë prej dërrase që nuk është mbuluar me tepih. Ata nuk kanë pas pandufle për të mbathur që t’i shmanget paska këmba e vogël të ftohtit që po mbretëron këto ditë e që në dhomën e tyre është kthyer në akullnajë.

“Vajza e madhe ka numrin e këpucëve 39-në sepse aq kam dhe unë dhe i mbath të miat”, thotë nëna Igballja. Altini 13 vjeç në klasën e shtatë thotë se ëndërron të ketë këpuca që të shkojë në shkollë pa iu lagur këmba, të mos i duken të vjetra dhe të mos iu lakmoj shokëve kur blejnë ushqim në shkollë dhe ai nuk ka të holla të blejë as një kifle, ndonëse është i uritur ka shkuar në shkollë pa ngrënë mëngjes se në shtëpinë e tij e ëma nuk kishte çfarë ti jepte. “Ju lakmoj shokëve dhe shoqeve që han e pinë në shkollë”, shprehet dhe Donika 12 vjeçe, motra e tij. E Donarta 13 vjeçem vajza tjetër familjes thotë se lutet çdo ditë e natë çdo natë kur shteti do t’ua kthejë socialin dhe të kenë së paku bukën ta blejë. “Shumë dua të kemi të ardhme më të mirë, dua që babai im të ketë për t’iu sjellë ushqim në shtëpi”, thotë ajo për “Zërin”.

Këta fëmijët jo vetëm që nuk kanë lodra, por dhe televizori i vetëm dhe ky i huazuar nuk punon. Për personazhet e filmave vizatimor, shtatë fëmijët e familjes Xhaferi dëgjojnë nga bashkëmoshatarët e tyre teksa thërrasin njëri-tjetrin me emra të personazheve apo rrëfejnë njëri-tjetrit për ta.

Për qytetarët që duan të ndihmojnë këtë familje numri i kontaktit të kryefamiljarit është Milaim Xhaferi është: 045 654 658

Ndërsa për veshmbathje përafërsisht po japim të dhënat e numrit të këpucëve dhe moshën e fëmijëve.

Malësori 16 vjet, numri i këpucëve 41

Donjeta 15 vjet, numrin 39 të këpucëve

Donarta 13 vjet, numri i këpucëve 38

Donika 9 vjet, numri këpucëve 37

Altini 12 vjet, numri këpucëve 39

Ariana dy vjet e gjysmë, numri këpucëve përafërsisht 20 dhe 21

Vajza një muajsh Tuana