Maqedonia jo vetëm dje, por edhe sot ballafaqohet me kërcënimet ndaj gazetarëve. Këshilli për etik në Mediat në Maqedoni (KEMM), por edhe shumë pronarë të mediave dhe gazetarë dënojnë kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave, shkruan Almakos.
Gazetari dhe analisti politik Isen Saliu mendon se mediat më të kërcënuara në Maqedoni janë ata që kundërshtojnë pushtetin dhe përderisa pushteti nuk duron të vërtetën, u bën presion gazetarëve dhe vetë mediumit.
“Gazeta ‘Lajm’ është ndër mediumet që më së tepërmi është përballur me presion nga pushteti, pa marrë parasysh se cila parti ka qenë në qeverisje.
Përveç presioneve, kërcënimeve fizike, opstruksioneve financiare, ‘Lajm’ vazhdimisht është përballur edhe me padi nga subjektet politike shqiptare në pushtet. Për momentin kundër nesh janë duke u zhvilluar dy procese gjyqësore: një proces i iniciuar nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe një nga BDI, si subjekt politik.
Gjatë qeverisjes së BDI-së dhe Ali Ahmetit, mediumet që njihen për retorikën e tyre antshqiptare kanë përfityuar miliona euro mjete qeveritare, kurse pikërisht Ali Ahmeti dhe BDI kërkojnë 50 mijë euro dëmshpërblim prej gazetës ‘Lajm’, medium i cili ishte i përjashtuar tërësisht nga reklamat e qeverisë edhe pse është gazeta më e vjetër shqiptare në tregun medial në Maqedoni”, tha Saliu, për Almakos.
Saliu shton se edhe në ditët e sotshme, ku edhe është rekomanduar nga ndërkombëtarët që të anashkalohen presionet, kërcënimet ndaj gazetarëve, përësëri ka disa militant partiak që udhëhiqen nga tradita e vjetër e qeverisjes së mëparshme të partive politike, në pushtet. Por, ai thotë që për t’i anashkaluar të gjitha këto bariera, duhet këmbëngulje dhe profesionalizëm në gazetari, si dhe përmirësimi dhe përparimi i rregullave ligjore të gazetarisë.
“Mendoj se presionet dhe kërcënimet që vazhdojnë ndaj mediumeve, janë pjesë e një mendësie që daton nga koha e qeverisjes VMRO-DPMNE-BDI, e që për fat të keq është përvjedhur edhe te një pjesë e pushtetit aktual. Për të mbetur parimor në qëndrimet e proklamuara për kultivim të lirisë së medumeve, qeveria e re duhet me urgjencë të neutralizojë dhe të eliminojë nga radhët e veta këto elemente, që sot e kësaj dite padisin mediumet në stilin e Sasho Mijallkovit dhe bëjnë presione të ndryshme.
Nga përvoja mund të them se një nga format më të mira dhe më efikase për të luftuar presionin e pushtetit ndaj mediumeve është këmbëngulësia në gazetari objektive dhe profesionale. Çdo lëshim pe ose tërheqje mbrapa, vetëm se motivon armiqtë e fjalës së lirë të vazhdojnë me kërcënimet dhe presionet.
Sigurisht që nevojitet edhe avancim i rrgullativës ligjore në funksion të pengimit të presionit dhe kërcënimeve, por edhe aplikim i përvojave të Gjykatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me seli në Strasbur. Këto përvoja, që janë mjaft të favorshme për gazetarët, fatkeqësisht nuk aplikohen sa duhet nga gjykatat e këtushme”, tha Isen Saliu, për Almakos.
Këto ditë është ngritur dorë ndaj televizionit “Shenja”, ku ka reaguar edhe KEMM-ja, ku dënon rastin e fundit ndaj ekipit të TV Shenja, i cili ishte penguar në raportimin e problemeve komunale në komunën e Çairit nga një grup simpatizantësh të BDI-së dhe fton në marrjen e masave të nevojshme nga institucionet për pastrimin e rasteve të këtilla, njofton Almakos.
‘Siguria e gazetarëve duhet të lirohet nga të gjitha presionet dhe kërcënimet, ndërsa shteti, në përputhje me nenin 10 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut është përgjegjës për ndërmarrjen e të gjitha aktiviteteve për të krijuar klimë të përshtatshme për shprehje të lirë’, thuhet në deklaratën e KEMM-së
D.Kërluku
Almakos.com