Skandaloze, kushte mizore ne Bibliotekën Universitare në Shkup

Kryesore | Publikuar më 20.03.2017 në ora 16:42

Biblioteka Universitare “Shën Klimenti Ohrit” në Shkup u ofron kushte mizore studentëve që shfrytëzojnë hapësirat e saj për të mësuar. Në redaksinë e TV Shenja, kanë arritur pamje amatore që pasqyrojnë gjendjen skandaloze të këtij institucioni publik. Me mbeturina të hedhura gjithandej dhe gjësende të tjera, ky institucion me karakter edukativo -arsimor, jo vetëm që nuk mirëmbahet dhe nuk ka pamjen e një biblioteke publike, por i ngjan një vendi ku mbizotëron kaosi dhe në të cilin nuk ka shkelur këmba e njeriut për një periudhe të gjatë. Nga pamjet mund të shihet se dera e leximores nuk funksionon dhe e njëjta është e mbyllur me karrige. Studentët që kanë denoncuar për parregullsitë në këtë institucion, nuk kanë pranuar të prononcohen para kamerave, pasi kanë frikë që ta bëjnë një gjë të tillë. Por, prapa kamerave, ata thonë se janë shumë të diskriminuar dhe përballen me shumë parregullsi dhe padrejtësi nga stafi i bibliotekës.

Ndërkaq, studentët paguajnë participimin vjetor për shfrytëzimin e leximoreve dhe për shfrytëzimin e librave dhe literaturës që ndodhen në bibliotekë. Participimi apo anëtarësimi vjetor për çdo student që regjistrohet është 600 denarë.

Teuta Buçi /SHENJA/


Skandaloze, kushte mizore ne Bibliotekën… by tvshenjaofficial