Skulptori i paqes me ekspozitë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Kulturë | Publikuar më 18.04.2017 në ora 09:46

Galeria e Ministrisë së Kulturës sjellë ekspozitën e radhës, më 20 prill 2017 me fillim nga ora 19:00.

“Passages” titullohet ekspozita e artistit Jean Pierre Romy, e cila përmban 30 punime, prej të cilave 16 janë skulptura dhe të tjerat pikturë.

“Vetëm duart, të mira dhe delikate, dëshmojnë precizitetin kuazi-kirurgjike të veprimit të tij, duart e dizajnerit që thërret koncizitetin dhe precizitetin e nevojshëm për praktikimin e sumos dhe kaligrafisë…” shprehet ndër tjera tekst shkruesi i katalogut, Dr. Daphne Laure Masliah.

“Për Romyn arti nuk është as elitist e as popullor, ai nuk i vë në pikëpyetje këto kushte. Arti është gjendje mendore dhe shpirtërore, si për krijuesin ashtu edhe për spektatorin [….] Është moment i përjetësisë të vjedhur nga koha që kalon, një pjesë e jetës sureale të gdhendur në shtrembërimin e hapësirës dhe kohës. Arti për të është si dashuria, një antidot kundër vdekjes” vazhdon tutje Masliah.

Kjo ekspozitë financohet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovë, drejtohet nga Dhurata Ramosaj-Shala, koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ndërkaq kurator është Dardan Muriqi.

Ekspozita “Passages” do të qëndroj e hapur në GMK deri më 15 maj 2017.

Ndryshe, Jean Pierre Romy është lindur në Egjipt nga një familje spanjolle-ruse, me prejardhje hebreje dhe i rritur në Francë. Ky artist zviceran u detyrua të shkojë në mërgim në Spanjën e Frankos para se të vendosej në Gjenevë.

Pasi studioi ekonomi dhe shkencat sociale në Universitetin e Gjenevës dhe në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare, ai filloi një udhëtim nismëtar i cili e çoi në mbarë botën. Nga kjo përvojë, ruajti lidhje bashkuese me Lindjen e largët, e cila lulëzoi në “Kaligrafitë imagjinare”.

Si skulptor i paqes, nën patronatin e Kombeve të Bashkuara, ai krijoi Monumentin e Paqes në Pekin, në kujtim të pesëdhjetë vjetorit të Republikës Popullore të Kinës. Gjithashtu u përzgjodh nga UNESCO që të inaugurojë Vitin 2000, Vitin e Kulturës për Paqe, me një monument të quajtur “Vizim”.

E përmbylli vitin 2000, Vitin e Kulturës për Paqe, duke krijuar “Trofetë e Paqes” dhe duke ua dorëzuar, së bashku me UNESCO-n, dy kampionëve botërorë të shahut në Nju Delhi dhe Teheran në dhjetor të vitit 2000.

Në Paris, ai inauguroi kalimin në mijëvjeçarin e ri me Metaforat me vetura, të simbolizuar nga automjetet bashkëkohore, të kthyera kah qielli, me fytyrë Katedralja e Notre Dame duke treguar simbolet e 5 shqisave të jetës.