Sami Ukshini i njohur si Komandant Sokoli akuzoj direkt politiken dhe Qeverinë e fundit për montimin e rastit të Kumanovës. Ai nuk dha emra konkrete por tha se gjithçka do të dalë në shesh pasi të dëgjohet dëshmitë e gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë dhe gjithë të akuzuarve.
Ukshini tha se nuk ka qenë organizator i grupit, por kanë qenë Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj të cilët nëpërmjet Xhafer Zymberit e kanë bindur të vijë në Maqedoni për të luftuar për të drejtat e shqiptarëve dhe këtu ua kanë siguruar ushqimin, veshjen, qëndrimin e të tjerë.
“Mirsadi dhe Begu ishin përgjegjës për komunikim politikën. Unë atëherë nuk kisha as telefon. Gjithë organizimi ishte në dorën e tyre. Më 26 prill, jam takuar me Xhafer Zymberin, me të ishte edhe Valdet Zekaj, gjatë ditës më pas u takova edhe Mirsadin dhe Begun. Xhaferi më bëri presion që të vi në Maqedoni dhe ti përkah këta djem dhe unë pranova. Mirsadi na i ka dhënë armët kur hymë në Maqedoni. Policia ishte në mision që të na ekzekutoj. Ka mundur të na rrethojë ditën e jo të sulmojë natën pasi kështu i ka rrezikuar njerëzit e vetë nga pumbat e vetë”, tha Sami Ukshini.
Ai gjithashtu tha se qëllimi i tij dhe shokëve të tij nuk ka qenë të sulmojnë askënd por vetëm të lobojnë dhe rikujtojnë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit e cila ishte lënë në harresë nga pushteti. Të thirret konferencë për media dhe të jepet ultimatum për zbatimin e MO-së pasi në të kundërtën do të përgatisnin sulm i cili doemos do sillte pozitë më të mirë për shqiptarët në Maqedoni. Ai tha se ishin prekur nga rasti “Vreshtat e Rashtanit”, “Brodeci”, “Sopoti”, “Monstra”, “Harun Aliu”, të cilat ishin montuar nga politika dhe tha se tani si duket edhe rasti i tyre do ti shtohet listës së rasteve të montuara.
Ukshini shpjegoi se disa ditë para luftimeve i ka lutur Mirsadin dhe Begun që të largohen nga lagja pasi ka vërejtur dronë dhe patrullime të policisë, por ata e kanë siguruar se personi me të cilin komunikonin vazhdimisht do tua mbrojë shpinën prandaj duhet të flenë të qetë.
“Ata i besonin shumë personit me të cilin flisnin në telefon. Si duket edhe më shumë se mua, pasi mua nuk më dëgjuan kur u thash të largohemi ndërsa atë që u tha flini qetë, po. Ky kontakt të cilit ata i besonin shumë e ka shkaktuar Lagjen e Trimave”, theksoi Ukshini.
Plani sipas Ukshinit, ka qenë të qëndrohet deri më 19 maj, kur duhej të dalin në skenë me kërkesë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Ashtu si më ka thënë Mirsadi, plani ka qenë shumë i thjeshtë. Të thirrim gazetarët dhe nëpërmjet tyre të përcjellim mesazhin se nëse nuk zbatohet Marrëveshja e Ohrit, më 23 shtator do të kthehemi si UÇK e riorganizuar”, tha Ukshini.
Prokuroria e pyeti Ukshinin nëse ndonjë parti politike u kishte dhënë përkrahje?
“Unë nuk e di. Por, sigurisht që kanë pasur përkrahje se ata nuk kanë qenë aq naiv të vijnë këtu pa përkrahje. Por, sigurisht që këtu ka pasur edhe ndonjë hallkë tradhëtie”, u përgjigj Ukshini.
“A nuk kemi përfaqësues të shqiptarëve në Qeveri për ti mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë. Edhe i keni pasur shokë lufte”, pyeti prokurorja Villma Ruskovka.
“Cilët shqiptarë? Ata që ju i keni korruptuar e futur në lojëra të pista? Ata nuk i llogaris si përfaqësues të shqiptarëve e as si luftëtare. Ekzistojnë luftëtarë dhe ushtarë. Ata ishin thjeshtë ushtarë”, u përgjigj Sami Ukshini, i njohur si komandant Sokoli.
“A keni ardhur në Maqedoni për para?, pyeti sërish prokurorja.
“Assesi. Ata të pareve janë në Qeveri. Unë nuk jam i pareve. Edhe familjarët e policëve por edhe ne duhet të kërkojmë llogari nga ata që kanë qenë në Qeveri më 9 maj të vitit 2015”, u përgjigj Ukshini.
“Cilat biseda të përgjuara mungojnë në dosjen e prokurorisë”, pyeti avokati Elenko Millanov.
“Për shembull biseda ime me Mirsad Ndrecajn kur i them se ku e ike shokët e tu që na siguruan se nuk do të na ndodhë agjë. E ai më thotë se nuk po ma hapin telefonin. Edhe biseda e Mirsadit me Ali Ahmetin dhe Artan Grubin poashtu është hequr”, u përgjigj Sami Ukshini.
Ukshini ngriti dyshimet se vete policia ka vrare pjesëtarët e sajë pasi ka sulmuar nga të giitha anët me artileri të rëndë, dhe plagët në trupat e policëve duket se nuk janë nga armatimi i tyre i cili ka qenë shumë më i rëndomtë se sa ai i policisë.
Ai shpjegoi se gjatë të shtënave, Shefqet Hallaqi ka kontaktuar me OSBE-në për të organizuar dorëzimin, por ata i kishin thënë se po presin përgjigje tashmë 3 orë nga policia dhe ende nuk ka asnjë lajm. Madje sipas tij në momentin që është biseduar në telefon për dorëzim, sulmet janë intensifikuar edhe më shumë. Pranoi se rasti në Gushincë ishte vepër e tyre por ishte vetëm për sensibilizim dhe jo për të bërë ndonjë dëm. Seanca e ardhshme është të enjten, më 23 shkurt.
Powered by WPeMatico