Sot Dita botërore e monumenteve dhe vendbanimeve historike

Kulturë | Publikuar më 18.04.2017 në ora 09:01

Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Vendbanimeve Historike(International Council on Monuments and Sites-ICOMOS), në vitin 1982, ka caktuar 18 prillin, Ditën ndërkombëtare të monumenteve dhe vendbanimeve historike.

Kjo ditë shihet si mundësi për të gjithë Komitetet Kombëtare të këtij këshilli, që të mbrojnë qëllimet e tyre të përbashkëta në të njëjtën ditë.

Një vit më vonë, Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të shqyrtojnë mundësinë e deklarimit të kësaj dite, çdo vit si “Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Vendbanimeve Historike”.

Kështu, çdo vit, Komitetet Kombëtare të ICOMOS-it, organizojnë aktivitete të ndryshme për të shënuar 18 prillin.

Në Kosovë, Muzeu i Kosovës,  për nder të kësaj dite zhvillon aktivitet me temë ‘Trashëgimia kulturore dhe turizmi i qëndrueshëm’.