Kryetari BDI-së, Ali Ahmeti, në ciklet e mëparshme zgjedhore vazhdimisht merrej me dëshmorët, invalidët dhe veteranët e luftës së vitit 2001, por pas zgjedhjeve gjithnjë gjindeshin justifikime për të shtyrë këtë temë. Në vend që kjo temë të hapej në Kuvend, aty u miratua ligji për branitellat, të cilët kanë gëzuar të gjitha beneficionet e mundshme nga shteti.
Kjo ishte deklarata e Ali Ahmetit, e bërë në një tubim të BDI-së në Tetovë në vitin 2008.
“Të nderuar ushtarë dhe oficerë të UÇK-së. Të nderuar bashkëluftëtar dhe bashkëveprimtar”.
Me këto fjalë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, fillonte çdo tubim parazgjedhor në të gjitha ciklet zgjedhore radhazi. Dëshmorët, familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës së vitit 2001 ishin kryefjala e çdo fjalimi parazgjedhor të Ahmetit dhe funksionarëve të tjerë të BDI-së. Para zgjedhjeve, në kohë fushate premtohej edhe zgjidhja e statusit të veteranëve, invalidëve dhe familjarëve të dëshmorëve. Por, pas zgjedhjeve, gjithmonë gjindeshin justifikime për të shtyrë këtë temë për mandatin e ardhshëm.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË
“Ku keni pa ju të bëni luftë edhe tani pension gjithë me marrë?”
Kjo temë shpesh herë hapej edhe në Kuvend. Temë qëndrore u bë pikërisht në kohën kur në procedurë hyri i ashtuquajturi “ligji për branitellat”. BDI paraprakisht pati deklaruar se me VMRO-në kanë program të përbashkët qeveritar dhe se aty nuk është paraparë Ligji për UÇK-në.
Nga ana tjetër, qytetarëve u premtoi BDI ashtu siç u premton vazhdimisht se do ta zgjedh çështjen e luftëtarëve të UÇK-së dhe pastaj ishim dëshmitar dhe dëgjuam sekretarin e përgjithshëm të BDI-së, i cili tha se nuk ka marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së luftëtarëve të UÇK-së. Atëherë i bie që BDI në programin e saj ka zgjidhjen e çështjes së branitellave të luftës së 2001-shit, sepse këtë e kemi sot në program.
Por, përkundër moszgjidhjes së statusit të familjarëve të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së, pjesëtarët e forcave të mbrojtjes dhe sigurisë së Maqedonisë kanë gëzuar të gjitha beneficionet e mundshme nga shteti.
Përveç tyre, Qeveria VMRO-BDI nga 5.000 euro ka ndarë edhe për ish oficerin e ushtrisë i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime ndaj shqiptarëve të Lubotenit në vitin 2001, Johan Tarçullovski. Kohëve të fundit BDI dhe kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, ka filluar edhe të mos e përmend statusin e UÇK-së. /Arben Zeqiri