Pasi Presidentit, Gjorgje Ivanov, ia dha mandatin për formimin e Qeverisë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, ka reaguar edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai i ka inkurajuar partitë politike për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re, me theks të veçantë fillimin e reformave urgjente, njofton SHENJA.
“E mirëpres vendimin e Presidentit Ivanov për t’i dhënë shumicës parlamentare të Zaevit mandatin për të formuar një Qeveri të re. Ky është një hap në drejtimin e duhur dhe gjëja e duhur për t’u bërë. Inkurajoj formimin e shpejtë të një Qeverie të re, një votim me konfirmim në kohë në Parlament dhe një qëndrim konstruktiv nga të gjitha partitë. Është e rëndësishme që vendi të fillojë të përqëndrohet në reformat urgjente. U bëj thirrje të gjithë atyre që janë të interesuar që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të çuar përpara aspiratat euro-atlantike të vendit”, ka thënë Stoltenberg. /SHENJA/