Vizitat e krerëve qeveritar të Maqedonisë, në Shqipëri, thua është një zhvillim i ri në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona sepse do të na krijojë mundësinë që përmes këtij mekanizmi të vendosim prioritet në sektorët e bashkëpunimit për të lehtësuar kësisoj realizimin e projketeve strategjike që do të sigurojnë financimin përmes fondeve europiane dhe ndërkomëbtare dhe natyrisht zbatimin e tyre. Por, sa janë të shëndosha marrëdhëniet mes dy shteteve dhe a shihet nëse ka kompromise, si dhe çka pas këtyre takimeve. Analisti Nijazi Muhamedi nuk i sheh këto takime që punohet për interesat e shtetit, aq më pak për interesat e shqiptarëve në Maqedoni , ndërsa Xhelal Neziri bashkëbisedimet direkte mes autioriteteve të Maqedonisë dhe Shqipërisë, i cilëson si pozitive nga ana e asaj që qeveria e re e Maqedonisë ka nis qeverisjen me një hap për fqinjësi më të mirë.
“Qeveria e re duket se ka një qasje më proaktive në politikën e jashtme, duke tentuar të vendosë raporte korrekte me fqinjët. Parakusht për këtë normalizim paraqiten çështjet e hapura me fqinjët, të trashëguara apo krijuara nga qeveria e kaluar, gjë që paraqet një sfidë të rëndë për këtë qeveri. Në raport me Shqipërinë, Maqedonia nuk ka asnjë çështje të hapur. Kjo krijon një bazë të mirë për një bashkëpunim më intensiv që do të ishte në dobi të të dyja shteteve dhe qytetarëve të tyre”, thotë Neziri, për Almakos.
Ndërsa, për Muhamedin takimi i fundit mes ministrit të punëve të jashtme të Maqedonisë Dimitrovit dhe ministrit Ditmir Bushatit e sheh se është një takim dhe bashkëpunim, jo për interesat e shqiptarëve, por për interesat e maqedonasve.
“Vizita e ministrit të punëve të jashtme të Maqedonisë në Shqipëri, sikundër që e pritnim, doli si një fluturim i hutinit mbi çati të Athinës, si i thonë fjalës për një muhabet kotnisht për interesat shqiptare por, djallëzisht për dobi të interesave “gjithëmaqedonase”, që konsiston në aktualizimin në vazhdim të agjendës joproduktive të raporteve fqinjësore të Maqedonisë me Shqipërinë, duke mbajtur me meremetime të herë pas hereshme “urën e bashkëpunimit mbi shpinën e ulur të shqiptarëve në Maqedoni.
Çka mund të presësh më tepër dhe ndonjë të re prej një takimi që bëhet me ftesë të një ministri të punëve të jashstme të Shqipërisë, që e ka zënë havaja e verës, ose e ka zënë deti i Shëngjinit dhe pak gjë di rreth dallavereve të bashkëpunimit të Maqedonisë me qeveritë e shkuara para qeverisë së partisë së tij, ose edhe ndonjë dallavere të vogël ku mund të jetë përzier qeveria e mëparshme e tij, sikundër janë disa “projekte” të realizuara rreth bashkëpunimit ndërkufitar: Strugë – Prrenjas – Poradec, projekt të përgatitur shumë vite më parë nga qeveria maqedonase dhe të nënshkruar qorrazi nga një qeveri e shkuar shqiptare për interesa korruptive të nënshskruesve, ose miniprojekti i ashtuquajtur “trekëndshi i vogël europian” ndërmjet një vendi të UE-së, sikundër është Greqia e dy vendeve fqinje të saj.
Pra, Maqedonia e Shqipëria, kur konceptin e këtij projekti e bën Maqedonia e Greqia, me një asistencë leximi nga pala shqiptare dhe trekëndshin e përvijojnë në pikat Ohër – Korçë – Liqeni i Prespës dhe disa vise greke rreth tij, pra një projekt që e pikëzon për interesat e popullatës së vet, Maqedonia që nga Ohri përmes Korçës e gjer në Liqena ose, një projekt poashtu i vjetër, por aktiv në projektimet e granteve të vogla europiane që integron “popullatën maqedonisht folëse” në trekëndshin Kukës – Dragash – Gostivar (projekti në maqedonisht e shqip është në arkivën e Bashkësisë së Kukësit).
Së këndejmi, biseda e re (me stil të vjetër) ndërfqinjësor mes Bushatit dhe Popovskit doli poashtu kotnisht, kur dihet fakti qe ky “muhabet” ndodhi fill pas Triestes, nga e cila Shqipëria u kthye duarbosh, pa asnjë projekt të bashkëpunimit ndërkufitar, kurse Maqedonia fitoi projektin e ndreqjes, e modernizimit të hekurudhës Maqedoni – Bullgari me vleftë prej dhjetra miliona eurosh”, thotë Nijazi Muhamedi, për Almakos.
Muhamedi shton se ndërkaq, hapja e bashkëpunimit ndërfqinjësor, nëpërmjet formave e takimeve më të institucionalizuara, dhe më të koordinuara, sikundër janë edhe mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive afërmendsh se mund të jenë më produktive për projekte më të konkretizuara dhe me përgjegjësi realizimi të përbashkët dhe me mbështetjen financiare të fondeve europiane, por edhe ktu kërkohet më tepër sy çeltësi nga ana shqiptare, më tepër protagonizëm ekspertësh që aktualisht janë të munguar në të dyja anët, dhe afërmendsh se dobia e një bashkëpunimi kësodore është e dobishme për të dyja palët si dhe për popullatat e tyre pranë kufitare. Por, ngutja për ta bërë këtë takim dy qeverish aty kah fundi i shtatorit, ca ditë pas krijimit të qeverisë shqiptare, kur ende nuk dihet se me çfarë ministrash do ta shkretojë funksionimin e qeverisë së pritshme, sikundër lënë përshtypje do informacione jozyrtare rreth kabinetit të ardhmë qeveritar, mund të jetë poashtu një mbledhje e përbashkët për “selfie ballkanike e europianizuar”, një mbledhje e përbashkët kotnishte, nga e cila pala maqedonase mund të nxjerrë ndonjë përfitim më tepër politik, duke imponuar faqe UE –së, “modelin e boshësisë ndëretnike” dhe “cepin e boshësisë ndërfqinjësore”, me Shqipërinë.
Gjatë bisedës të Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë Dimitrov dhe ministrit Bushati, është lënë anash problemi dhe zgjedhja e çështjes së shqiptarëve që korespondon me Marrëveshjen e Ohrit, një marrëveshje e cila ka qenë kryefjala e takimeve mes dy vendeve. Por për këtë, sipas burimeve të mediave, ministri Bushati ka dhënë një shpjegim. “Marrëveshja e Ohrit, marrëveshja e Përzhinos, në një mënyrë apo në tjetër gjendet e trupëzuar edhe në deklaratën e partive politike shqiptare në Maqedoni, por edhe në programin e ri qeverisës që ka marrë votëbesimin në Parlamentin e Maqedonisë dhe një pjesë të këtyre angazhimeve unë i gjej edhe në platformën apo programin 3-6-9 që qeveria e Maqedonisë ka prezantuar në Bruksel”, ka thënë ministri i punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Për analistin Neziri, Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm ajo që është e shkruar, por një kornizë në kuadër të së cilës duhet kërkuar zgjidhjet e problemeve ndëretnike. Më e rëndësishme te ky dokument është fryma e tij, që parasheh konsensus etnik dhe politik në udhëheqjen e shtetit. Çdo largim nga kjo vijë ngufat frymën e Marrëveshjes, gjë që sjell konflikte të reja. Qeveria e kaluar e anashkaloi këtë dokument dhe e solli vendin buzë konfliktit, thotë Xhelal Neziri, për Almakos.
Nga ana tjetër Nijazi Muhamedi thotë se zbatimi i MO-së, që fare pak ka të bëjë me interesat e shqiptarëve dhe më tepër për të legjitimuar gjoja njohjen “me vullnet demokratik” të statusit juridik minoritar nga ana e vetë shqiptarëve në shtetin etnik maqedonas”, është katranosur qëmoti nga vetë nënshkruesit e saj, kurse nga pala shqiptare ajo gjithnjë përmendet pa e lexuar dhe gjithnjë në optikën e diskursit zyrtar maqedonas, një qasje për faqe të zezë e gjithë qeverive shqiptare, kurse informacioni i Bushatit, që nuk duhej të ishte vlerësim i tij, se në 3+6+9 të qenkan përfshirë do angazhime nga Përzhina, e do nga MO, ishte shenjë se ia ka thënë Popovski ose Ali Ahmeti, që këtë ministër e bën jo të përgjegjshëm për interesat shqiptare, dhe ia degradon kapacitetin e tij profesional për të qenë në atë funksion, pra, edhe për të reflektuar se nuk i mbërrijnë shkallët për të pretenduar vazhdimin e postit”, tha Muhamedi, për Almakos.
Delvina Kërluku
Almakos.com