Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç sot u takua me Komisarin evropian për zgjerim, Johannes Hahn me të cilin ka biseduar për rrugën eurointegruese të Serbisë, situatën në rajon dhe dialogun me Prishtinën, raporton AA.
Vuçiç ka theksuar se anëtarësimi i plotë i Serbisë në Bashkimin Evropian (BE) është prioritet i politikës së jashtme të Serbisë.
“Vlerësojmë se vendi i tërë rajonit është në BE dhe se pa përfshirjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor hapësira e përbashkët ekonomike dhe politike nuk do të jetë e mundur në kontinentin evropian”, theksoi presidenti serb.
Ai përshëndeti qasjen e BE-së sipas të cilit vlerësimi i progresit të secilit kandidat do të bazohet në meritat individuale.
“Ne besojmë se numri i kapitujve të hapur duhet të jetë më shumë në përputhje me përpjekjet tona dhe rezultatet që kemi arritur në procesin e negociatave. Megjithëse ne jemi duke u fokusuar në kapitujt ekonomikë, ne përpiqemi t’i kushtojmë vëmendje të barabartë kapitujve të reformave 23 dhe 24”, theksoi Vuçiç.
Sipas tij, respektimi dhe zbatimi i sundimit të ligjit është prioritet i politikave të tyre themelore.
“Ne do të bëjmë gjithçka për të përmbushur detyrimet tona sa më shumë që të jetë e mundur deri në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian mbi përmbushjen e detyrimeve të parashikuara për këto kapituj, të cilat janë planifikuar për në nëntor”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se Serbia e sheh forcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor si një nga levat kryesore për vazhdimin e politikës së pajtimit në rajon dhe përshpejtimin e arritjes së qëllimit strategjik të politikës së jashtme të Serbisë, që është anëtarësimi në BE.
Gjatë takimit u vu re se është bërë përparim i dukshëm në zbatimin e planeve të veprimit për kapitujt 23 dhe 24.
Gjithashtu është shprehur shpresë se takimi i presidentit serb Vuçiç me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini në Bruksel do të japë rezultate në dialogun me Prishtinën.