37 kompani qëllimisht janë privilegjuar nga të punësuar në Drejtorinë për të Ardhurat Publike gjatë viteve 2015 dhe 2016. Këtë e bëri të ditur sot drejtoresha e këtij institucioni, Sanja Llukarevska, e cila tha se bëhet fjalë për dy të punësuar në funksione të larta, të cilët vazhdojnë të jenë të angazhuar në DAP.
Llukarevska sqaroi se të punësuarit kanë intervenuar duke vendosur ndalesë në sistem për të mos filluar me proceduat e pagesës së borxheve, respektivisht tatimeve që kompanitë i kishin obligim ndaj shtetit.
Llukarevska nuk dha detaje se për cilat kompani bëhet fjalë e as për shumën e saktë të tatimit të shmangur, duke u arsyetuar se bëhet fjalë për sekrete tatimore. Ajo tha se bëhet fjalë për një shumë milionëshe, duke paralajmëruar procedura përkatëse si për të punësuarit, ashtu edhe për kompanitë.