Tetova1: Çka po ndodh me Aleancën për shqiptarët, a po shkon drejt shpërbërjes?!

Flash | Publikuar më 20.03.2017 në ora 11:10

Aleanca për shqiptarët një aleancë e përbërë prej tre subjekteve politike shqiptare, LR PDSH, RDK dhe UNITETI ka shumë paqartësi në rrugëtimin e saj politik, shkruan Tetova1.

Përveç paqartësive ajo është edhe tejet kontroverse ose kundërthënëse me qëndrimet fillestare dhe të brendshme në Aleancë.

Para disa kohësh dolën informacione se Aleanca për shqiptarët do të shkrihet në një parti. Edhe përskaj këtyre informacioneve të cilat nuk u qartësuan deri në fund, me demant të fuqishëm dolën nga partia Uniteti dhe RDK-ja e Vesel Memedit.

Në disa deklarime publike të përfaqësuesve të Unitetit dhe LR PDSH-së dolën informacionet dhe kërkesat se vërtet kanë dëshirë që të shkrihen në një parti gjë që bie ndesh me demantin e RDK-së dhe partisë Uniteti.

Menjëherë pas këtyre aktiviteteve që shkojnë drejt pakënaqësive dhe ujërave të turbullta doli në pah informacioni për pakënaqësi të mëdha në LR PDSH-në e Dibrës ku Sazan Papraniku një anëtar i shquar i LR PDSH-së ka shprehur pakënaqësitë e tij publike ndaj Arben Taravarit.

Paraqitja publike e Vesel Memedit njërit prej krerëve të Aleancës për shqiptarët dhe shpalljes së liderit të BDI-së, Ali Ahmetit nga ana e tij si kryeplak i katundit i ka lëkundur edhe më andej paqartësitë dhe ka turbulluar ende më shumë rrugëtimin politik të kësaj Aleance.

Kapaku i aktiviteteve kundërthënëse dhe tronditjeve të brendshme në Aleancën për shqiptarët ishte dorëheqja e Muhamed Ismailit njërës prej figurave kryesore publike të Aleancës për shqiptarët nga radhët e partisë Uniteti.

Tronditjet dhe pakënaqësitë e brendshme në Aleancën për shqiptarët, lideri i kësaj Aleance, Zijadin Sela i mbulon me sulme të njëpasnjëshme ndaj Lëvizjes Besa dhe liderit të kësaj partie Bilall Kasamin.

Por cili do të jetë fundi i rrugëtimit politik të kësaj Aleance? A do të shpërbëhet përfundimisht si projekt në momentin kur kryeplaku i katundit t`i arrije synimet e tij, mbijetesën politike në zgjedhjet lokale, apo ndoshta do të vazhdoje si projekt edhe më andej me tronditje të thella e të vazhdueshme?

Ndryshe Aleanca edhe pse e përbërë nga tre parti ka fituar vetëm tre deputetë në zgjedhjet parlamentare./Tetova1/