Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka mohuar të ketë arritur ndonjë kërkesë nga komuna e Tetovës, për furnizimin me tetë autobusë urban për transport publik. Nga kjo Ministri madje thonë se, për këtë vit, nuk janë paraparë mjete për këtë çështje.
E para, në Ministrinë e Transportit nuk figuron asnjë kërkesë nga komuna e Tetovës lidhur me furnizimin me autobusë. E dyta, Ministria sivjet nuk ka ndarë apo planifikuar mjete për ta ndihmuar komunën e Tetovës për autobusët në fjalë. Dhe e treta, Ministria e Transportit nuk është kompetente për t’i furnizuar komunat me mjete transporti, por këtë gjë duhet ta bëj Qeveria- bëhet me dije nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Mohimi nga Ministria e Transportit vjen vetëm një javë pasi e para e komunës së Tetovës, e pyetur për transportin publik, ka deklaruar se fill pas miratimit të buxhetit është ripërsërtitur kërkesa drejtuar Ministrisë së transportit, gjegjësisht Qeverisë, ndërkohë që është shprehur se, janë lëshuar kërkesa edhe tek disa donatorë të huaj për ndihmë në këtë drejtim.
Ne vetëm e kemi ripërsëritur kërkesën pasi u miratua buxheti sepse e quajtëm të arsyeshme ta ripërsërisim kërkesën për vitin që vjen dhe presim tani që të kemi përgjigje pozitive, por, kemi bërë kërkesë edhe tek dy adresa donatorësh të jashtëm që mendojmë se edhe prej aty do kemi përgjigje pozitive. Ne kemi ndarë buxhetin tonë dhe mendoj që ky vit do jetë më i mbarë edhe për këtë ndërmarrje- tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Këto pretendime për rregullimin e çështjes së transportit publik në qytetin e Tetovës vinë, dy vite pas themelimit të Ndërmarrjes për transport në kuadër të komunës së Tetovës, për të cilën, edhe pse transporti mungon, vazhdojnë të ndahen mjete nga buxheti.
Bashkim Sulejmani