Thirrje për kthimin e muslimanëve në Arakan

Bota | Publikuar më 14.11.2017 në ora 12:16

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, paralajmëroi se kriza në Arakan po shkakton destabilitet dhe radikalizëm në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).

Guterres, gjatë fjalimit në Samitin e 31-të të liderëve të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) tha se, “Nuk mund t’i fsheh shqetësimet e mia të thella për kalimin e mijëra refugjatëve në Bangladesh nga Mianmari, në mënyrë dramatike”.

ASEAN thirrje për Arakanin

Në Samit është bërë thirrje për ofrimin e mundësive për kthimin e muslimanëve të Arakanit në shtëpitë e tyre, të cilët kanë ikur nga incidentet e dhunës në Arakan dhe janë strehuar në Bangladesh.

Zëdhënësi i Presidencës së Filipineve, Harry Roque Jr, në një konferencë për mediat të organizuar në Manila tha se pas shprehjes së shqetësimeve nga pjesëmarrësit në samit lidhur me gjendjen e refugjatëve të Arakanit, ministrja e Punëve të Jashtme e Mianmarit dhe ministrja pa portofol përgjegjëse për Presidencën e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, “është zotuar për të siguruar kthimin e refugjatëve muslimanë në Arakan”.

Roque Jr tha se kthimi i refugjatëve pritet të fillojë brenda tre javëve, pas marrëveshjes së arritur mes Mianmarit dhe Bangladeshit.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme i Filipineve, Alan Peter Cayetano, tha se një prej rezultateve më të rëndësishme të samitit është që Mianmari ka kërkuar ndihmë për refugjatët e Arakanit nga shtetet e ASEAN-it, duke shtuar se Filipinet janë të gatshme për të ndihmuar për këtë çështje.

Edhe kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, në një takim me Aung San Suu Kyi, ka përcjellë mesazhin për “gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme” për krizën njerëzore në Mianmar. Trudeau bëri të ditur se ka caktuar një përfaqësues special për Mianmarin që të ofrojë mbështetje për përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës në Arakan.

Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjet dhe daljet në rajon.

Gjatë sulmeve të cilat janë shndërruar në një spastrim etnik janë djegur ose shkatërruar rreth 300 fshatra nga ushtria dhe budistët radikalë, si dhe mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo të lumenjve. Ndërkohë dhjetra mijëra të tjerë janë në kërkim të rrugëve për t’u larguar në Bangladesh. Parashikohet se rreth 2 milionë muslimanë jetonin në Arakan në vitet 1970, por ky numër ka rënë nën 200 mijë për shkak të largimeve nga sulmet sistematike.