Skandali me 3 vajzat shtatzëna në strehimoren “25 Maji” nxorri në sipërfaqe neglizhencën e institucioneve dhe tmerrin që është zhvilluar vite me radhë në strehimoret për fëmijë. Prindi i vajzës 13 vjeçare, tek e cila u konstatua shtatzënia, fajëson institucionet për ato që i kanë ndodhur bijës së tij. Ai për edicionin e mbrëmshëm të emisionit VOX tha se që kur vajza e tij u strehua te “25 Maji”, është ankuar për kushtet atje, por autoritetet i kanë thënë të mos shqetësohet.
PRIND
“Shkova tek Mirjana, punëtore sociale, e cila ishte përgjegjëse për të dhe ajo pas 1 muaji më tha: “Shefqet, shko në strehimore se atje ke vajzën” Unë pyeta: “Epo pse e keni dërguar në strehimore, kur ajo është e kapur, mund të ketë mbetur shtatzënë, mund të bëjë ç’mos”. Unë u thashë atyre se atje në strehimore ka lloj-lloj njerëzish. “Jo, mos u shqetëso, asgjë nuk do të ndodhë”. Pas kësaj, mu lajmërua Uranka Millano, drejtoresha, më ftoi të shkoj atje, bisedova me të dhe më tha se Ramiza nuk është në strehimore, nuk di se ku është dhe se ka mbetur shtatzënë”
Nga ana tjetër, nga ambasada për fëmijë “Megjashi” thonë se zhvillimet që bënë bujë në opinion kohëve të fundit, janë realitet i hidhur në strehimoren “25 Maji” për vite me radhë.
TATJANA GOGOSKA, PËRFAQËSUESE E MEGJASHI-T
“Për fat të keq, që nga viti 2000, Megjashi monitoron zhvillimet në strehimoren “25 Maji”, strehimore për fëmijë që janë pa prindër si dhe ata që kanë familje, por për arsye të ndryshme janë të vendosur në këtë strehimore. Nëse shikoni kronikën e vitit 2000, me një vajzë tanimë të rritur, të strehuar në këtë strehimore dhe e cila në moshën 19 vjeçare ka braktisur strehimoren, kur dëgjoni fjalët e saj dhe fjalët e fëmijëve të sotëm, do të shihni se tmerri i atyre fëmijëve, domethënë tmerri i shumë brezave të fëmijëve të rritur në strehimoren “25 Maji”, ka zgjatur shumë kohë”
Neglizhenca e institucioneve lidhur me fëmijët në strehimore doli në pah kur u konstatua shtatzënia të një e mitur 13 vjeçare, që dyshohet të jetë pasojë e përdhunimit. Më pas edhe dy vajza tjera të mitura nga e njëjta strehimore rezultuan shtatzëna. Prokuroria ka njoftuar se ka hapur lëndë dhe po e heton këtë rast, ndërsa drejtori i “25 Majit” dha dorëheqje sapo u shfaq skandali në media.
/SHENJA/