Tri dekada manipulim me kërkesat shqiptare

Flash | Publikuar më 06.09.2017 në ora 20:39

Shkruan: Faton FAZLIU

Që nga mëvetësimi i Maqedonisë e deri më sot shumëçka ka ndyshuar në këtë shtet, por jo edhe lojërat politike dhe manipulimi me kërkesat e shqiptarëve. Manipulime dhe lojëra të cilat i shpiki dhe i promovoi Presidenti i parë i këtij shteti, Kiro Gligorovi e që pastaj u bënë pjesë e politikave të partive maqedonase. E këto intriga mbështeteshin mbi parimin që njëra parti maqedonase (VMRO-DPMNE-ja antishqiptare) ta ushqej nacionalizmin maqedonas duke i kundërshtuar të gjitha kërkesat shqiptare e tjetra parti, (LSDM-ja e maskuar si parti ‘qytetare’) të aktrojë se edhe do i kishte përkrahë ato kërkesa, por nuk ka si t’i kundërvihet nacionalizmit të VMRO-DPMNE që mund të përfundoj me konflikt ndëretnik? Sa u përket partive shqiptare, ato kurrë nuk e kuptuan këtë lojë dhe mbetën vajtojca dhe vëzhguese pasive të këtyre intrigave të partive maqedonase, që harxhonin ardhmërinë e shqiptarëve të Maqedonisë.

Që nga mëvetësimi i saj e deri më sot, në tregun politik të Maqedonisë, ‘malli’ më profitabil për partitë kanë qenë kërkesat shqiptare. Dhe përfituese më të mëdha nga manipulimi me kërkesat shqiptare ishin e mbetën partitë maqedonase: VMRO-DPMNE-ja duke u mburrur me pengimin e realizimit të tyre, e LSDM-ja ‘qytetare’ duke aktruar keqardhje për mosrealizimin e të njëjtave. Kuptohet, nuk mbetën pa fituar gjë as partitë shqiptare, apo më konkretisht BDI-ja ‘proevropjane’ dhe vasalja më e preferuar e sunduesve maqedonas, të cilës thuajse edhe i shkonte për shtati mosrealizimi i kërkesave shqiptare, ngaqë i kishte lëndë të parë për gënjeshtrat parazgjedhore.

Edhe pas thuajse tri dekadave nga mëvetësimi i Maqedonisë, asgjë nuk ka ndryshuar sa u përket kërkesave shqiptare. Gjë që më së miri e pasqyron moszyrtarizimi i gjuhës shqipe, me të cilën kërkesë së fundmi manipuloi edhe Zoran Zaevi i LSDM-së, me çka u bë atë që prej moti ishin drejtuesit gënjeshtarë të BDI-së; hero shqiptar i hipur mbi gomar. Po pra, Zaevi premtoi atë që tri dekada me radhë bëjnë partitë shqiptare, me çka edhe mori aq vota shqiptare sa të anëtarësohej në klubin e manipuluesve me kërkesat shhqiptare. Ndërkohë manipulimi vazhdon dhe tani LSDM-ja dhe partitë tjera në pushtet duan të na gënjejnë se gjuha u zyrtarizuaka me ligj e jo nëpërmjet ndërhyrjeve kushtetuese.

Se Zaevi manipuloi dhe manipulon me kërkesat shqiptare po aq sa edhe gjithë të tjerët, këtë e dinë edhe partitë shqiptare. Ndoshta prandaj edhe atij sot më së shumti i pengon Lëvizja BESA, e cila thotë: koha e manipulimeve me kërkesat shqiptare ka marr fund, andaj ejani ta RIDEFINOJMË shtetin, se përndryshe ai do mbetet pa të ardhme të definuar. Pra Lëvizja BESA u thotë edhe partive shqiptare, mos e trajtoni gjuhën shqipe si kanalizimin dhe asfaltimin e vendbanimeve shqiptare ku i mbushni gropat vetëm gjatë fushatave parazgjedhore, e që sërish të hapen posa vini në pushtet.

Me këtë BESA shumë hapur thotë: ky shtet vetvetiu do kalbet e do zhbëhet nëse atë edhe më tej do e drejtojnë partitë maqedonase që kanë role të caktuara, VMRO-DPMNE-ja antishqiptare dhe LSDM-ja ‘qytetare’ – e ku e para e pengon realizimin e kërkesave shqiptare dhe e dyta sillet në stilin: ‘dua po nuk më lë nëna’. Kështu duke arritur që secila prej tyre t’i sigurojë shqiptarët e saj të cilët do i përdorin si mbulesë për këto lojëra: DPMNE’ja vasalët e BDI’së, ndërkaq LSDM’ja shqiptarët ‘laramanë’ që janë çliruar nga ”shpirtngushtësia nacionaliste’.