Vasalizmi si mbijetesë politike

Flash | Publikuar më 08.08.2017 në ora 15:15

Emad MEHMETI

Me paraqitjen e BDI-së në skenën politike në Maqedoni, shqiptarët e këtushem fituan vetëm një gjë: Institucionalizimin e vasalizmit si mënyrë e të mbijetuarit dhe të vepruarit politik të partive shqiptare.
Pra ka kohë që BDI-ja e ka kultivuar vetëdijen politike se realizimi i kërkesave shqiptare nuk varet nga potenciali i tyre politik, por vetëm nga vullneti i sunduesit maqedonas.

Partitë maqedonase mirë e pranuan këtë “dhuratë” që ua solli dhe mundësoi BDI, andaj edhe ndaj shqiptarëve dhe pakënaqësive të tyre silleshin në dy mënyra: VMRO-DPMNE-ja duke iu kundërven atyre – vasalëve shqiptarë të paguar për këtë punë, ndërkaq LSDM-ja në mënyrë edhe me perfide, duke i luftuar shqiptarët nëpërmjet partiakëve të saj shqiptarë.

Kur jemi këtu duhet thënë e pranuar se LSDM-ja është ajo që e para e promovoi dhe e përdori strategjinë “шиптар против шиптар (shqiptari kundër shqiptarit)”, pra lëshoje “shqiptarin” tënd le të merret me shqiptarë, me çka edhe e vazhdoi lojën që dikur e kanë bërë komunistët – të lësh përshtypje se ti je i gatshëm t’i realizosh gjitha kërkesat e tyre, por ata s’mund të merren vesh mes veti, apo ç’është edhe më keq, ata nuk e dinë se çka kërkojnë.
Mbase, për ndokënd kjo mund të jetë e pabesueshme, por ja po ua sjell një shembull: Shqiptarët e LSDM – së dhe vasalët shqiptarë të kësaj partie që na e urojnë “zyrtarizimin e gjuhës shqipe”, po na genjejnë edhe njëherë si popull, duke e arsyetuar Qeverinë e Zaevit se sa shumë ka bërë për gjuhën shqipe. Ndërsa, e gjitha kjo del të jetë se kjo Qeveri na trajton jo si komb, por si numër të definuar në 20 %, ashtu siç na parashohin në ligjin e përdorimit të gjuhëve, derisa e mira e kësaj është se, shqiptarët e Maqedonisë në masë mbi 80 % në zgjedhjet e tetorit do të dëshmojnë se janë kundër “kukullave” qeveritare, që shqiptarët i shohin vetëm si numra, e jo si komb shtetformues.

Pra, edhe pas kaq vitesh, politikën shqiptare e përcakton vasalizmi ndaj sunduesit maqedonas. Si dhe shërbesat që një shqiptar mund t’ia ofrojë një partie maqedonase duke i luftuar shqiptarët “jokonstruktiv”. Me këtë mendësi politike u pajtuan një pjesë e votuesve shqiptarë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Megjithatë, BESA po e bën dallimin e madh këtu, pasi po sjell standard të ri në politikbërjen shqiptare të Maqedonisë: Parime prej të cilave nuk heq dorë, sinqeritet, dhe zgjidhje të problematikave shqiptare, përmes platformës së saj dhe profesionistëve të shumtë brenda Lëvizjes nga të gjitha fushat.