Vecino: Gati për Juventusin, nuk mendojmë për titullin

Sport | Publikuar më 05.12.2017 në ora 20:46

Interi luajti ndaj Chievos pa Matias Vecinos, por që tashmë është gati për ndeshjen me Juventusit. 

Ai kishte një problem të vogël dhe trajneri Luciano Spalletti, nuk e rrezikoi për asnjë moment.

Vecino thotë se tashmë është gati për ndeshjen me Juventusin.

“Me Chievon isha në bankën rezervë, por më tepër për ndonjë rast emergjence, pasi nuk isha në gjendjen optimale”.

“Tani po stërvitem me ngarkesë të plotë me grupin dhe them se jam 100 % në dispozicion të trajnerit për sfidën ndaj Juventusit”.

“Gjithsesi, te ne janë të gjithë titullarë dhe kjo u pa edhe në sfidën me Chievon, ku nuk u ndie mungesa e tre futbollistëve të formacionit”, tha Vecino.

“Jemi të parët dhe jemi të lumtur sepse kjo do të thotë që kemi punuar mirë. Objektivi ynë i vetëm në këtë sezon, është pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve, ndaj nuk duam të mendojmë për titullin”.

“Ne punojmë çdo ditë për të fituar të gjitha ndeshjet, pavarësisht se jo gjithmonë do t’ia dalim, por rëndësi ka që në fund të renditemi në katër vendet e para të renditjes”, ka thënë Vecino.  /Telegrafi/