Nesër Gjykata Supreme do të marrë vendim, nëse Goran Grujevski, Toni Jakimovski dhe Nikola Boshkovski do të përfundojnë në burgun e Shutkës. Pesë gjykatës nga gjykata më e lartë sot kanë filluar seancën për shqyrtimin e vendimit të gjykatës së Apelit për paraburgimin e tre të akuzuarve për përgjim të paligjshëm në vend, e të cilët ishin në pozicione të larta në policinë sekrete në kohën e qeverisjes së VMRO DPMNE-së. Tani gjykata Supreme në krye me kryetarin Jovo Vangelovskin, i cili është kumbari i ish kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanovski duhet të vendos nëse gjykata e Apelit ka të drejtë për paraburgimin ose gjykata Penale e cila vetëm ua mori pasaportat. Këshilli i përbërë nga pesë gjykatës suprem ku do të jetë edhe Vangelovski, do ta marrë vendimin përfundimtarë. Deri tani mbetet e panjohur se cilët janë katër gjykatësit tjerë. Alsat M jozyrtarisht mëson se për shkak të pushimeve vjetore, disa prej këtyre gjykatësve do të vendosin nëse të akuzuarit kryesorë për përgjimin e paligjshëm disavjeçar do të përfundojnë në paraburgim.
Gjyaktësit
Vasil Gërçev- sektori për vepra civile
Kiro Zdravev- sektori për vepra civile
Faik Arsllani- sektori për vepra të ndëshkueshme
Marika Matevska- sektori për gjykim në afat të arsyeshëm
Besa Ademi- sektori për vepra civile
Xhemail Saiti- sektori për vepra të ndëshkueshme
Mbetet enigmë nëse Gjykata Supreme do të marrë vendim të ngjashëm si edhe në rastin me Sead Koçanin. Pasi që Jovo Vangelovski sërish u bë kryetar i Gjykatës, u mor vendim skandaloz, i arratisuri Sead Koçan i akuzuar në Trust, të lirohet nga paraburgimi. Deri në këtë vendim, Koçani ishte në arrati thuajse 2 muaj. u kthye në Maqedoni kur Supremja vendosi që ta shfuqizoj paraburgimin. Edhe atëherë pjesë e Këshillit që liroi Koçanin ishte Vangelovski i cili ishte edhe pjesë e “bombave” të LSDM-së. Ai pranoi autenticitetin e bisedës së publikuar, duke relativizuar përmbajtjen e tij.
“MJ: Po hy në veturë, urdhëro…
JV: E mirë. Pra për lëndën “Global”.
MJ: Mirë. JV: E di se ata kanë nisur procedurë, tani është te unë.
MJ: Mirë.
JV: Ndërsa, më shkakton problem njëri nga gjykatësit, për shkak se në vendimin që është marrë nga ana ime nuk qëndron nënshkrimi yt… do të thotë në shkresat e lëndës…
MJ: E nënshkrimi i kujt është?
JV: Po s’ka nënshkrim fare, e zbrazët është, unë nuk e di arsyen pse, me siguri i tillë është ekzemplari, është e pamundur të mos ketë, meqë ka vulë…
MJ: A mund të lëshojë dikush përmes sms-së numrin e gjykatësit”.
Goran Grujevski, ish shef i Drejtorisë së Pestë në MPB, Toni Jakimovski, ish shef i Kabinetit të Sasho Mijallkovit, dhe Nikolla Boshkovski janë të akuzuar në rastet “Target” dhe “Fortesa”. Përmes tyre duhet të vërtetohet se kush ka përgjuar në mënyrë të paligjshme në vend dhe për nevojat e kujt, por edhe si janë shkatërruar sistemet për ndjekjen e komunikimeve në MPB. PSP-ja sqaroi se në mënyrë të paligjshme janë përgjuar mbi 500 numra telefonikë. Janë ndjekur politikanë biznesmenë, afaristë dhe gazetarë.