Veprimi pervers politik i Zaevit!

Flash | Publikuar më 03.10.2017 në ora 22:54

Shkruan: Kim Mehmeti

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, LSDM-ja morri mbështetjen e shumë votuesve shqiptarë, edhe atë jo pse atyre u ofroi diçka aq joshëse sa ata nuk kishin si ta refuzonin, por pse ishin të frustruar nga partitë e tyre, e veçanërisht nga gënjeshtrat disavjeçare të BDI’së. Domethënë, BDI’ja është më e merituara pse LSDM’ja u ngrit në një ndër partitë më të ‘mëdha’ shqiptare dhe drejtuesit e kësaj partie shqiptare janë ata që votuesit shqiptarë i shndërruan në numra të thjeshtë për të bërë tregti me partitë maqedonase në pushte, me çka te disa shqiptarë, u ngjallë vetëdija politike se, sa të më shet BDI’ja te partitë maqedonase, atëherë le t’ua shes unë vetë atyre votën time!

Drejtuesit e LSDM’së mirë e lexuan këtë frustrim të votuesve shqiptarë, andaj në vitin 2016, Zaevi atyre ua drejtoi thirrjen t’i bashkëngjiteshin në betejën kundër regjimit kriminel DPMNE-BDI. Dhe shumë shqiptarë iu bashkëngjitën dhe e ndihmuan që ta fitonte këtë betejë dhe të arrinte aty ku ndodhet sot – të vendosë për fatin e Maqedonisë. Që në ndërkohë të ndodh edhe e papritura: që sot, gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet vendore, i njëjti Zaev, t’i ftojë shqiptarët që ata të votojnë për kandidatët e BDI’së?! Me çka mbetet e paqartë se cili është Zaevi i vërtetë: ai që deri dje e luftonte regjimin kriminel DPMNE-BDI, apo ky i sotmi që donë ta forcojë BDI’në?
Por megjithatë, kanë diçka të përbashkët Zoki i deridjeshëm dhe Zaevi i sotëm, e që e shpjegon veprimtarin e tij perverse politike ndaj shqiptarëve. E kjo është bindja e tij se mendësia dominante politike e votuesve shqiptarë, është e barabartë me atë të disa vëllezërve të tij partiak shqiptarë, е me të cilët fotografohet nëpër kafenetë e fshatrave të këtushëm. Nga edhe del përfundimi se nëse VMRO-DPMNE’ja, e ndihmuar nga BDI’ja, aq i poshtëroi shqiptarët , sa ata i trajtonte si pakurrizorë që u nënshtrohen rrugaçëve muskulorë dhe banditëve të BDI’së, drejtuesit e LSDM’së shkuan edhe përtej kësaj: filluan të besojnë se sido që ta kthesh, i mirë dhe politikisht i përdorshëm është vetëm shqiptari i korruptuar. Si dhe shqiptari që nuk mendon më larg se ta ketë numrin e telefonit të kryeministrit, e me të cilin mund të bisedojë kur të dojë, e për çka të dojë, si të ishin shok të së njëjtës bandë pulëvjedhësish të fshatit.

Po, Zaevi morri vota shqiptare fal frustracionit të tyre ndaj partive që votuesin shqiptarë e shndërruan në ‘mall’ fitimprurës, që ua shisnin partive maqedonase në pushtet. Por sot, i njëjti ai Zaev, kërkon nga shqiptarët që ata të votojnë për kandidatët e BDI’së, të votojnë për partinë e cila është shëmbëlltyrë e dështimeve të tyre politike dhe e përbuzjes që atyre ua bëri regjimi DPMNE-BDI. E që do të thotë se ose Zaevi dëshiron BDI’së t’ia lajë borxhin pse i çoi shqiptarët të mendojnë si ‘qytetarë reformues”, e jo me mendësinë e ‘prapambetur’ etnike, e që i çoi të votonin për LSDM’në. Apo ndoshta pse beson se mendësia dominonte politike e votuesve shqiptarë është aq perverse sa edhe veprimtaria e tij politike.

Si do qoftë, duhet pranuar se kur janë në pyetje shqiptarët, Zaevi ka përparësi të madhe ndaj VMRO-DPMNE’së: më lehtë është ta përballësh veprimtarinë e tij perverse, që të çon të ndjehesh i poshtëruar, se sa mendësinë kriminele të drejtuesve të VMRO-DPMNE’së, e të cilët edhe urrejtjen dhe përbuzjen ndaj tyre, shqiptarët donte t’ua shiste si kujdes të saj ndaj ardhmërisë së tyre. Njëjtë siç duhet vlerësuar Zaevin edhe nëpërmjet asaj se ai as që është duke e fshehur se, njësoj si gjithë liderët tjerë maqedonas, votuesin shqiptarë e çmon vetëm nëpërmjet asaj sa ata mund ta sjellin e ta mbajnë në pushtet. Andaj edhe ndodh që njësoj si deri dje VMRO-DPMNE’ja, edhe LSDM’ja e sotme, votuesit shqiptarë t’i vlerësojë vetëm nëpërmjet asaj sa ata do mund të flijojnë në tempullin e sunduesit maqedonas. Dhe prandaj pra ndodh, që kriminelët dhe vasalët e deridjeshëm të BDI’së, e që i shërbyen VMRO-DPMNE’së – pasi kaluan nëpër lavatriçen e LSDM’së – sot të bëhen ‘reformatorë ’dhe vëllezër të në gjaku të LSDM’së!