Një anketë e publikuar sot nga Instituti për Hulumtimin e Politikave dhe Qeverisjes së Mirë paraqet BDI-në dhe Lëvizjen BESA me mbështetje të barabartë. Përderisa tek BDI vazhdon trendi i rënies së mbështetjes, vazhdon të rritet mbështetja për Lëvizjen BESA. Ky institut, në dy ciklet e fundit zgjedhore, ka qenë ndër hulumtuesit më të saktë që kanë parashikuar rezultatet zgjedhore. Krahasuar me anketat e mëparshme të këtij instituti, vërehet edhe rritje e mbështetjes për LR-PDSH-në, kryesisht në kurriz të PDSH-së.
Anketa është realizuar gjatë periudhës 19-22 maj 2017, ndërsa është fokusuar në dy çështje, duke pyetur qytetarët se a janë të mendimit që të gjitha partitë shqiptare duhet të jenë pjesë e qeverisë së Zaevit, si dhe për cilën parti do të votonit, nëse këtë javë do të mbaheshin zgjedhjet.
54.6% nga të anketuarit, kanë thënë se të gjitha partitë shqiptare duhet të jenë në Qeveri, përkundër 19.8% nga të anketuarit që kanë thënë se duhet të ketë edhe opozitë shqiptare. 25.6% kanë thënë se nuk e dinë, apo se nuk mund të vlerësojnë.
Ndërkohë, në pyetjen se për cilën parti politike do të votonit nëse mbahen zgjedhje këtë javë, vërehet barazim mes partive BDI dhe Lëvizja BESA. 12.5% kanë thënë se do të votonin për BDI-në, ndërsa 12.2 % janë shprehur se do votonin Lëvizjen BESA.
9.1% e të anketuarve, kanë thënë se do votonin për LR-PDSH-në, 6.6% për LSDM-në dhe 2.6% për PDSH-në.
Anketa është realizuar vetëm me shqiptarë në një ekzemplar prej 700 të anketuarve.Për shkak te modelit zgjedhor, IHPQM zbaton metodologji të veçantë për zonat dhe komunat, në të cilat shqiptarët janë shumicë, me qëllim që kështu ta arrijë saktësinë e besueshmërisë dhe preferencën e shqiptarëve ndaj partive politike shqiptare.
Anketa e tretë pas zgjedhjeve, BESA dhe BDI… by tvshenjaofficial