Bashkimi Demokratik për Integrim ka vendosur që si kandidat për kryetar të Kuvendit ta propozojë koordinatorin e deritanishëm të grupit parlamentar të kësaj partie, Talat Xhaferin. Nga BDI pretendojnë se për këtë kanë marrë pëlqim edhe nga LSDM, por nuk kanë saktësuar nëse kanë konsultuar edhe Lëvizjen Besa dhe Aleancën për Shqiptarët. Arsye për kandidimin e Xhaferit për postin e të parit të Kuvendit, BDI konsideron përvojën e tij të deritanishme në Kuvend, si deputet dhe koordinator në disa mandate. Nga kjo parti shpresojnë që procedura për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit do të fillojë javën e ardhshme. Optimizëm i njëjtë mbizotëron edhe në LSDM ku madje shpresojnë se shumë shpejt do të formohet edhe Qeveria. Ndërkaq, VMRO-DPMNE, vazhdon të kërkojë zgjedhje të reja të dyfishta, lokale dhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Në këtë temë, të dyja partitë maqedonase edhe sot janë përplasur duke mbrojtur secila qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta.
“Kuvendi shpejtë do ta zgjedh Qeverinë e re reformuese të Maqedonisë pasi që qytetarët zgjodhën ndryshime dhe zgjodhën që t’i udhëheqin politikanët serioz, të cilët kujdesen për interesat e tyre dhe të shtetit, kundër politikanëve kriminel të udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së, të cilët përpiqen që vendin ta fusin në krizë të thellë politike dhe në izolim”, thonë nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE kanë përsëritur akuzat e tyre se koalicioni i ri dëshiron të realizojë një platformë të përpiluar në Tiranë, të cilën e vlerësojnë të rrezikshme për Maqedoninë.
”Ne me gjithë energji e kundërshtojmë deklaratën e Tiranës pasi mendojmë se është kushtëzim klasik por edhe rrezik për interesat nacionale të shtetit. Ne nuk pranuam këtë kombinim për qeverinë e ardhëshme pasi nuk duam që shteti të humb vlerën e bashkimit dhe unitetit të shtetit. Prandaj duhet që të kemi zgjedhje të reja parlamentare”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Përveç kësaj VMRO-DPMNE edhe dje, pas arritjes së marrëveshjes për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërim, paralajmëruan zvarritje të reja të procedurave parlamentare. Deputeti Ilija Dimovski tha se të hënën do të konstituohet vetëm komisioni në fjalë, ndërsa më pas sipas tij ky komision duhet të debatojë dhe të shqyrtojë kandidaturat për kryetar të Kuvendit. Pasi të zgjidhet një kandidat, atëherë ai tha se kryesuesi i seancës konstituive, Trajko Veljanovski, do të mund të vendos kur të thërret vazhdimin e kësaj séance për të zgjedhur kreun e ri të Kuvendit. Por, nga kabineti i Veljanovskit që në ditën e dorëzimit të iniciativës së LSDM-së, thanë se nuk ka afate ligjore se kur duhet të thirret kjo seancë, duke lënë të dyshohet se ekzistojnë mundësi që e njëjta të zvarritet në afat të pacaktuar.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
BDI propozon Talat Xhaferin për kryeparlamentar by tvshenjaofficial