Raporti i Pribes e tregon gjendjen e Këshillit Gjyqësor si më kritike, sa i përket pjesës së gjyqësorit. Kështu ka deklaruar sot Margarita Caca Nikollovska nga Instituti për të Drejtat e Njeriut para fillimit të prezantimit të raportit të parë monitorues “Reformat në Gjyqësor nga Pribe 1 deri në Pribe 2 dhe më pas”. Ajo tha se mes tjerash, duhet të zgjidhen përgjegjësitë dhe kompetencat e këtij këshilli dhe gjithë asaj që do të çonte te gjyqësori i pavarur dhe të paanshëm. Por, sipas saj, kur bëhet fjalë për gjyqësorin, nuk mund të pritet që reformat të zbatohen për periudhë kohore shumë të shkurtër.
Margarita Caca Nikollovska, Instituti për të Drejtat e Njeriut
“Nëse e merrni raportin e Pribes, është e dukshme se ka më shumë problem në Këshillin Gjyqësor dhe një pjesë të gjykatësve që kanë vepruar në disa lëndë. Problemi qëndron në atë se në një farë mënyrë ka pengesa të mëdha në vlerësimin e asaj se kush dhe në çfarë mënyre janë sjellur në mënyrë të papërgjegjshe dhe joadekuate. Ato çështje nuk mund të zgjidhen lehtë. Mendoj se me zgjedhjen e prokuorit shtetëror publik do të hapet mundësi për reagime më të mëdha dhe për ngritjen eventuale të procedurave adekuate, si nga prokuroria ashtu edhe nga organet e tjera”.
Zoran Drangovski nga Shoqata e Juristëve të Rinj deklaroi se ata janë fokusuar në dy aspekte, në kryerjen e vendimeve nga Strasburgu dhe në punën e grupit ndërministror e cila ka për detyrë që të ndjekë procesin e kryerjes së vendimeve kundër Maqedonisë. Sipas tij, ky grup nuk po zbaton rekomandimet e Pribes.
Zoran Drangovski kryetar i Shoqatës së Juristëve të Rinj
“Edhe pse në raportin e Pribes thuhet se të rriten aktivitetet e këtij grupit ndërministror, kemi vërejtur se aktivitetet e tij janë ulur. Në vitin 2015 janë mbajtur vetëm 4 mbledhje, në 2016-tën një dhe në vitin 2017 po ashtu një mbledhje e cila është mbajtur para një muaji, gjë që është shqetësuese sepse një numër i madh i vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kundër Maqedonisë presin të zgjidhen”.
Ky raport është bazuar në reformat urgjente prioritare në pjesën e sundimit të së drejtës dhe gjyqësorit, të cilat kanë për bazë Raportin e vitit 2015 të grupit të ekspertëve të udhëhequr nga Rajnhard Pribe dhe raportin e shtatorit të këtij viti, të përgatitur po ashtu nga Pribe. Projekti është realizuar nga Insitutit për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me Shoqatën e Juristëve të Rinjë dhe Institutit për Politikë Evropiane.
Teuta Buçi /SHENJA/