Bashkimi Demokratik për Integrim ka bërë thirrje për një takim të partive politike shqiptare në një tryezë të përbashkët, në frymën e deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare. Kësaj thirrjeje i është përgjigjur vetë Lëvizja BESA, të cilët kanë porositur partinë e Ahmetit që të mos bëjë improvizime karikaturale. Nëpërmjet një reagimi me shkrim, ata kanë thënë se Tryeza e Partive Parlamentare nuk është ajo që e mendon BDI-ja, duke e konsideruar këtë tryezë si improvizim me qëllim që të bëhet protagonizëm politik. Ata e kanë refuzuar këtë ftesë dhe kanë propozuar një formë tjetër takimi në Kuvend.
“Për shkak se takimin që e keni ftuar në hotel “A. Palace” e konsiderojmë pluhur syve për opinionin shqiptar, vetëm sa për sy e faqe dhe pa asnjë përmbajtje, siç edhe dëshmon ftesa tuaj, ne ju propozojmë që takimi, në vend nëpër hotele, të mbahet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Nëse jeni vërtet të gatshëm që të flasim për avancimin çështjes shqiptare në Maqedoni, pra pa këso kalkulime mediale, ne ju ftojmë që të takohemi në hapësirat e Kuvendit, sepse duam të diskutojmë për gjëra thelbësore dhe nuk kemi kurrfarë kënaqësie që të fotografohemi me asnjërin nga politikanët që mund të jenë në atë takim”, thonë nga Lëvizja BESA.
Ata kanë propozuar që takimi të koordinohet nga grupet parlamentare dhe në kuadër të së njëjtës të jepet llogari nga BDI-ja dhe Aleanca për rrjedhën e realizimit të të drejtave të shqiptarëve.
“Propozojmë që takimi në Kuvend të koordinohet nga koordinatorët e grupeve parlamentare (ose përfaqësuesit e partive përkatëse), ndërsa në të të ketë dy pika të rendit të ditës:
1) Raport me shkrim nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët se çfarë është përfshirë në programin qeveritar nga Deklarata e Përbashkët e Partive Politike Shqiptare në Maqedoni dhe me çfarë dinamike do të realizohet ajo;
2) Hartimi i planit për propozim-ligjin e gjuhës shqipe dhe krijimi i grupeve të punës për përpilimin e tij”, thonë gjithashtu nga Lëvizja BESA.
Lëvizja Besa në reagimin e saj, po ashtu ka deklaruar se janë të gatshëm për takim përmbajtjesor, e jo ceremonial e për mashtrim të opinionit, siç e ka quajtur kjo parti.
Teuta Buçi /SHENJA/
Ftesa për takim, BESA i përgjigjet Ahmetit: Mos… by tvshenjaofficial