Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është ajo që duhet ta nxjerrë Maqedoninë nga kjo krizë politike, pasi pikërisht kjo parti e ka futur vendin në këtë krizë. Kështu u shpreh sekretari i përgjithshëm i UNITETI-t, Muhamed Ismaili në emisionin ‘Arena’. Ai tha se nuk ka fajtor tjetër përpos VMRO DPMNE-së dhe BDI-së që janë përgjegjës për këtë krizë politike.Ismaili shtoi se bartës i deklaratës së përbashkët të partive shqiptare nuk është BDI-ja, por bartës janë të gjitha partitë nënshkruese në mënyrë të barabartë.
“Nëse ndokush nga një parti e caktuar dëshiron ta paraqesë se ka më tepër hise në këtë gjë, e ka gabim, dhe sigurisht se e bën për poenë të politikës ditore, ndërsa të gjitha subjektet janë të barabarta aty, qoftë me dhjetë, me pesë, me tre ose me dy deputetë”, tha sekretari i përgjithshëm i partisë UNITETI, Muhamed Ismaili.
Ismaili tha se partitë shqiptare duhet të ulen në një tryezë të përbashkët që ta diskutojnë ofertën e LSDM-së, që të shohin se sa është e dobishme ajo për çështjen shqiptare. Mirëpo, Ismaili theksoi edhe ndarjet brenda BDI-së, parti e cila, nuk ka përjashtuar as formimin e Qeverisë me VMRO DPMNE-në.
“Gjithçka është e pritshme nga BDI, mirëpo atë që mund ta them unë si përfaqësues i UNITETI-t, në këtë rast edhe i Aleancës, është se ne kemi qenë shumë të qartë dhe të saktë kundrejt asaj se cilit do ia japim përkrahjen. Edhe pse platforma e përbashët e partive politike shqiptare nuk është e përkryer, është larg asaj që të jetë e përkryer, por kjo është një kornizë e partive për t’u unifikuar rreth diçkaje”, theksoi Ismaili.
Duke i komentuar deklaratat e Vesel Memedit, me të cilin partia UNITETI është në koalicion, Ismaili tha se nuk pajtohet me deklaratat e tij, i cili pati thënë se Ali Ahmeti është kryeplaku i shqiptarëve, duke shtuar se më shumë sqarime për këto deklarata duhet të jep vetë Memedi. /SHENJA/
Ismaili: Nga BDI-ja mund të pritet gjithçka by tvshenjaofficial
Powered by WPeMatico