Ragmi Latifi, i akuzuar për transportimin dhe udhëheqjen e grupit të Kumanovës në territorin e Maqedonisë e quan akuzën për logjistikë të grupit si hakmarrje ndaj ish luftëtarëve të UÇK-së. Latifi thotë se është i dyshimtë fakti se si Prokurorisë iu deshën më shumë se pesë muaj për të zgjeruar hetimin dhe për të shtuar edhe më shumë të dyshuar në listë që thotë se nuk kanë lidhje me rastin.
“Ne grupi i dytë që jemi të akuzuar, edhe fëmija trevjeçar e di se ne jemi arrestuar për vitin 2001. Jemi arrestuar pas pesë muajsh. Prokurorisë iu desh aq kohë për të na lidhë me grupin e parë, që të bëhet nji film i mirë. Sa më shumë njerëz do ketë aq më interesant do jetë”, ka thënë Ragmi Latifi, i akuzuar .
Ish luftëtari i UÇK-së nga Hotla kritikoi kualifikimin për terrorizëm duke thënë se nuk mund dikush të quhet terrorist nëse s’i ka bërë dëm askujt. Ai kujtoi ngjarje humaniteti që ka bërë gjatë luftës kur ka shpëtuar edhe civilë maqedonas por edhe civilë shqiptarë.
“Të kishim qenë terroristë, tani të gjithë do të hidheshit prej dritares. Terrorist në familjen time nuk ka pasur asnjëherë dhe nuk do të ketë kurrë”, ka deklruar Ragmi Latifi, i akuzuar.
Avokatja Artene Ademi Iseini reagon ndaj akuzave që janë të bazuara vetëm në disa biseda telefonike.
“Ragmi Latifi dha një mbrojtje shumë të besueshme dhe sqaroi se bisedat telefonike janë miqësore, janë familjare dhe të nxjerra nga konotacioni vetëm me qëllim që të ketë elemente të veprës penale, për ti ngarkuar si logjistikë të grupit. Prokuroria gjithë akuzat i bazon në biseda telefonike të cilat janë shumë të cekëta dhe nuk përmbajnë elemente të veprave penale”, ka thënë Artene Ademi Iseini, avokate.
Dëshmoi edhe Fazli Osmani, djali i Sulejman Osmanit për të cilin zhvillohet gjykim i veçantë ndaras nga grupi pasi së fundmi ishte kapur dhe ekstraduar nga Kosova ku gjendej në arrati. Osmanin e pyetën prokurorët dhe gjykatësit se ku kanë qenë në periudhën kritike dhe përgjigjet e tij vazhdimisht ishin në drejtim të asaj se ai merrej vetëm me kultivimin e patateve dhe nuk ka patur asnjë lidhje me grupin.
Latifi: Na arrestuan që të hakmerren për 2001-shin by tvshenjaofficial