Rënie e mbështetjes së qytetarëve për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian ka vazhduar edhe gjatë vitit 2016. Hulumtimet e fundit të institutit për Demokraci “Societas Civilis”, në temë “Analiza e opinionit publik për procesin e qasjes së Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian”, tregojnë se dy vitet e fundit ka rënie të dukshme të pakënaqësisë së përparimit të Maqedonisë në procesin e qasjes, si dhe rënie të pakënaqësisë nga kapaciteti dhe angazhimi vendor të reformave. Zoran Neçev nga ky institut thotë se numër më i madh i të anketuarve janë të pakënaqur nga përpjekjet e BE-së në rolin e ndërmjetësuesit në krizën politike në vend. Ndërkohë, sipas tij, është interesant dallimi mes të anketuarve maqedonas dhe shqiptar, ku rreth 29.9% e maqedonasve vlerësojnë se Rusia është partner më i mirë i Maqedonisë, ndërsa 32.2% dhe 28.3% e shqiptarëve vlerësojnë se është BE dhe SHBA.
“Një pjesë e të anketuarve të cilët kundërshtojnë procesin e zgjerimit, përkatësisht anëtarësimin e Maqedonisë në BE, nga ajo përqindje që është 18 nga numri i përgjithshëm i të anketuarve, 48 për qind vlerësojnë se Rusia do të ishte partneri më i mirë i Maqedonisë. Interesante në këto të dhëna është se ka dallime mes bashkësive etnike maqedonase dhe shqiptare. Për përqindjen më të madhe të maqedonasve partner më i mirë i Maqedonisë është Rusia ndërsa për përqindjen më të madhe të shqiptarëve Bashkimit Evropian”, tha Zoran Neçev nga Instituti për Demokraci.
Ndërkaq, sipas Ivan Damjanovski, nga ky institut njëra ndër arsyet e rënies së mbështetjes për anëtarësim të vendit në BE është kontesti i emrit me Republikën e Greqisë.
“Pikërisht bllokada që del nga kontesti për emrin, e cila njëherësh është edhe bllokadë e procesit të tërësisht të qasjes është arsyeja kryesore e rënies. Për këtë them se ka korelacion shumë të qartë mes kredibilitetit të qasjes së Maqedonisë dhe mbështetjes për anëtarësim”, tha profesori universitar, Ivan Damjanovski.
Hulumtimi anketues në fjalë është realizuar nga profesori universitar Ivan Damjanovski në bashkëpunim me fondacionin Konrad Adenauer dhe Institutit për Demokraci “Societas Civilis”.
Teuta Buçi /SHENJA/
Powered by WPeMatico