(VIDEO) Musiad takim me afaristët vendas

Ekonomi | Publikuar më 17.05.2017 në ora 17:01

Oda Ekonomike MUSIAD, ka mbajtur mbrëmë një takim me afaristë vendas dhe me afaristë nga Turqia, në përpjekje për të avancuar marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Drejtori i MUSIAD-it për Maqedoni dhe Ballkan, Bilall Kara, tha se qëllimi i tyre është që të luajnë rolin e një urë lidhëse mes afaristëve, duke mundësuar kështu rritjen e aktiviteteve ekonomike dhe uljen e papunësisë.

“Zyra jonë e cila u hap me datë 21 tetor të vitit të kaluar, ka filluar me aktivitetet e saja në të gjitha vendet e Ballkanit. Deri më tani kemi më shumë se 60 anëtarë nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bulgaria dhe Greqia. MUSIAD-Ballkan është njëra nga përfaqësitë më të reja dhe njëkohësisht më të rëndësishme të MUSIAD-it. Qëllimi ynë është që të hapim dyert për rritjen e aktiviteteve ekonomike të anëtarëve tanë”, ka deklaruar Bilall Kara, drejtori i MUSIAD-it në Maqedoni.

Përparësitë për të investuar në Maqedoni, i prezantoi atasheu për çështje ekonomike pranë ambasadës turke, Bunjamin Kutllu, i cili tha se Maqedonia është një vend i sigurt për investitorët turq, duke e pasqyruar këtë edhe me investimet turke në sektorë të shumtë.

“Sapo të vini në aeroport, e shihni se bëhet fjalë për aeroport të kompanisë TAV. Gjatë rrugës do të shihni fabrikën e qumështit të SUTASH-it. Në kryeqytet dhe në qytetet tjera, do të shihni marketet e RAMSTOR-it, pastaj i keni spitalet ACIBADEM, Sante Plus, European EYE Hospital. Këtu kemi edhe Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik, kompanitë e ndërtimit si Xhevahir Holding dhe Limak, si dhe shumë kompani tjera”, tha Bunjamin Kutllu, atashe për çështje ekonomike.

Duke prezantuar përparësitë e të investuarit në Maqedoni, avokati Kiril Popazovski përmendi marrëveshjen për stabilizim-asocim që Republika e Maqedonisë ka nënshkruar me BE-në, si dhe marrëveshjet bilaterale që Maqedonia i ka nënshkruar me Republikën e Turqisë. Nga ana tjetër, afaristët turq u shprehën se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve duhet të intensifikohen edhe më tej, duke u shprehur të pakënaqur me nivelin e tanishëm.

Abdulla Berisha /SHENJA/

Musiad takim me afaristët vendas by tvshenjaofficial