(VIDEO) Pritje të mëdha nga vizita e eurokomisarit Hahn

Kryesore | Publikuar më 20.03.2017 në ora 18:32

Komisari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i Bashkimit Evropian, Johanes Han pritet që t’i japë një impuls të fuqishëm debllokimit të institucioneve dhe formimit të Qeverisë së re në Maqedoni. Partia e cila pretendon të drejtojë Qeverinë e ardhshme, LSDM, pret që komisari Han nesër të jetë i drejtëpërdrejtë në mesazhet e tij, veçanërisht ndaj presidentit Gjorgji Ivanov për të ndarë mandatin për formimin e Qeverisë, si dhe ndaj Nikolla Gruevskit për të ndërprerë retorikën që nxit dhunë politike.

“Nga vizita e eurokomisarit Han presim që t’i përcjellë porositë të cilat tanimë janë dhënë nga ana e Komisionit Evropian, nga ana e Këshillit të Ministrave të BE-së, nga ana e eurokomisarit Mogerini dhe ajo është që në Maqedoni patjetër të kthehet rendi kushtetues. Presim që kjo të jetë porosia e cila do t’i përcillet edhe Ivanovit dhe Gruevskit. Presim se do të ketë dënim të fuqishëm të fjalimeve dhe thirrjeve për dhunë politike të cilat i promovonte Nikolla Gruevski”, ka deklaruar Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.

Ndërkohë nga metropoli evropian kanë njoftuar se komisari Han do të takojë vetëm liderët politik dhe shtetëror dhe jo përfaqësuesit e sektorit civil, duke ju dhënë kështu një përgjigje negative organizatorëve të protestave të cilat tani e disa ditë mbahen me pretekstin, kundër platformës së partive shqiptare.

“Siç thashë tashmë të premten, Han do të takohet me përfaqësuesit politik. Është e vërtetë se ka edhe kërkesa të tjera dhe shpesh kur ai udhëton në vend, ne tentojmë të takohemi me sa më shumë bashkëbisedues, përfshirë edhe me të atillë nga shoqëria civile. Por, kësaj radhe komisari do të takohet vetëm me përfaqësues politik, sepse agjenda e tij nuk lejon më tepër”, ka thënë Maja Kocijançiq, zëdhënëse e KE-së.

Gjatë vizitës së tij në Shkup, komisari Han do të jetë i shoqëruar edhe nga tre euro deputetët, Eduar Kukan, Knut Flekenshtajn dhe Ivo Vajgëll. Siç është e ditur, gjatë ardhjes së delegacionit nga Brukseli, në Shkup është thirrur edhe një protestë nga shoqata “Për Maqedoni të përbashkët”.

Po nesër në Kuvend është caktuar edhe mbledhja kordinuese e kordinatorëve të partive parlamentare me kryetarin e deritanishëm të Kuvendit Trajko Veljanovski, ku do të shqyrtohet kërkesa e LSDM-së dhe 67 deputetëve që mbështesin Zoran Zaevin për mandatar të Qeverisë. Në këtë mbledhje duhet të formohet komisioni për zgjedhje dhe emërim, ndërsa më pas të caktohet edhe vazhdimi i mbledhjes konstituive ku duhet të zgjidhet edhe kryetari i Kuvendit. Por, nga mbledhja e nesërme ka shumë pak shpresa pasi partitë më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë qëndrime të kundërta lidhur me numrat e anëtarëve që duhet të kenë në këtë komision.

Arben Zeqiri /SHENJA/


Pritje të mëdha nga vizita e eurokomisarit Hahn by tvshenjaofficial