Samiti 100 mblodhi katër kryeministrat e Maqedonisë, Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi për të diskutuar mbi mundësitë e zhvillimit ekonomik të Ballkanit. Liderët e Ballkanit Perëndimor u morrën vesh që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në të gjitha fushat, por u zotuan edhe për lehtësime kufitare që thanë se janë të domosdoshme.
Kryeministri Zoran Zaev porositi që politikanët duhet ta sjellin Evropën në rajon me ndihmën që do tia ofrojnë biznesit pasi vetëm biznesi mund ta lëvizë ekonominë. Zaev tha se ekonomia do ti shoshit edhe problemet që në të kaluarën i kanë patur shtetet fqinje, pasi zhvillimi, mirëqenia do dalin para së gjithash.
Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë
“Paratë me të cilat ne në buxhet menaxhojmë vijnë prej juve, prej biznesmenëve. Tekstualisht prej prodhimit tuaj, prej rrogave që u jepni punëtorëve. Gjithë komponetat zhvillimore janë të lidhura me sektorin e biznesit.Të konstatojmë se duhet ti zvogëlojmë orët e gjata të pritjes në kufi edhe për mallrat edhe për qytetarët pasi atëherë do të ketë dinamikë në zhvillim”.
I pyetur për korridorin tetë dhe rrugën e Arbrit, Rama paralajmëroi realizim të shpejtë por tha se përpos këtij projekti, të gjithë shtetet e Ballkanit duhet punuar që të formohet një treg i përbashkët i zhveshur nga barrierat e shumta kufitare.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë
“Secili duhet ta kuptojë potencialin e vetë dhe atë ta zgjerojë në nivel rajonal. Veç e veç jemi tregje të vogla, por së bashku kemi një treg të madh. Është koha që të ecim me bindje drejt këtij synimi dhe të mos ngurojmë nga konspiracionet për këtë plan. Duhet të jemi të bindur se prej këtij plani do të përfitojnë të gjithë qytetarët”.
Kryeministrat e Malit të Zi, Dushko Markoviç dhe të Bosnje Hercegovinës, Denis Xvizviç, kritikuan faktin që edhe pse afër, shtetet fqinje të Ballkanit e kanë shumë të vëshirë udhëtimin e ndërsjellë. U inkurajua që Ballkani të përpilojë projekte të përbashkëta infrastrukturore për të cilat do të kërkohen fonde nga BE pasi u theksua se pa dijen dhe pa paratë e BE-së nuk ka mundësi për zhvillim më të madh.
Dushko Markoviq, kryeministër i Malit të Zi
“Qeveria e Malit të Zi përkrah investitorët. Ne jemi të bindur se pa paratë dhe dijen, përvojën e tyre, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik. U pajtuam se të gjithë kanë përfitim prej investimeve… Bashkëpunimi makroekonomik, reformat strukturore dhe bashkëpunimi ekonomik janë kyç për rajonin”.
Denis Zvizdiq, kryeministër i Bosnje Hercegovinës
“Detyrim i të gjithë Qeverive të rajonit është që të krijojnë ambient të volitshëm biznesi dhe për investime të huaja. Bashkëpunimi ekonomik dhe lidhja rajonale bazuar në një prej qëllimeve tona kryesore që është integrimi në BE, duhet të vazhdojë të jetë një prej prioriteteve tona”.
“Samiti 100” është zhvilluar për dy ditë me radhë, me prezantime të kompanive më të mëdha Ballkanike dhe diskutim mbi mundësinë e bashkëpunimit të biznesin me politikën. Ndërsa sot, liderët e katër shteteve dhanë mesazhin për të vijuar edhe më tej me konceptin e tillë të bashkëpunimit ekonomik mes shteteve fqinje.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/