Në emisionin “Arena” që mbrëmë u transmetua në Televizionin SHENJA, përballë përfaqësuesit të LSDM-së Petre Shilegov, ishin analistët politik Ismet Ramadani dhe Bashkim Bakiu. Shilegov e quajti të palogjikshme kërkesën që LSDM ta hedhë platformën e përbashkët të partive shqiptare, duke thënë se nuk mund të hedhin diçka që nuk e kanë pranuar.
“Ne atë platformë nuk e kemi pranuar, që tani ta hedhim poshtë. Për ne nuk ekziston platformë sepse kemi program për Qeveri. Kemi program që ofron jetë për të gjithë qytetarët pa dallim nga përkatësia etnike. Pjesë nga platformat e partive politike janë pjesë e programit qeveritar. Kur formoni program qeveritar, merrni pika bashkimi të partive me të cilat do të koaliciononi”, tha zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
Nga ana tjetër, analisti Bashkim Bakiu vlerëson se LSDM-ja e Zoran Zaevit do të shfrytëzojë përgjimet e papublikuara për të ulur pazarin e BDI-së për çështjet etnike shqiptare. Bakiu theksoi se LSDM-ja ka amnistuar BDI-në duke mos publikuar përgjime për krerët e saj, me qëllim që t’i shfrytëzojë ato përgjime për shantazhimin e partisë së Ali Ahmetit.
“Duke analizuar historinë e zhvillimit nga paraqitja e bombave, dilema kryesore është se a thua vallë LSDM po edhe VMRO-DPMNE-ja, mund t’i shfrytëzojë, për shkak se ne dëgjuam vetëm një pjesë të bombave. Megjithatë, këtë mund ta shfrytëzojë një parti politike që të ulet pazari në të ardhmen për të realizuar politikat shqiptare”, tha analisti politik, Bashkim Bakiu.
Duke folur për qëndrimin e VMRO-së për platformën shqiptare, Ismet Ramadani tha se dyshon që eksponentët e VMRO-së e kanë lexuar platformën. Ai thotë se VMRO po e shfrytëzon platformën për fushatë dhe për fshehje të krimit.
“Tani është platforma e Tiranës, bile nuk thonë më platforma e partive politike parlamentar autoktone shqiptare këtu, por platforma e Tiranës. Pra, përveç defokusimit prej krimit në platformë, nga platforma shkuan në Tiranë”, tha analisti politik, Ismet Ramadani.
Ramadani tha se nga e gjithë kjo situatë, është mirë që komuniteti ndërkombëtar e ka kuptuar dhe po e adreson mirë fajin për atë që jemi në këtë krizë që po vazhdon me vite.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Shilegov në “Arena”: Kemi program qeveritar e… by tvshenjaofficial