Arrihet marrëveshje për formimin e komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërim. Në mbledhjen e sotme LSDM ka lëshuar pe duke i lejuar VMRO-DPMNE-së të merr kryetarin e këtij komisioni ku do të ulet deputeti Ilija Dimovski. Nga LSDM thanë se këtë kompromis e kanë bërë me qëllim që të mundësojnë debllokimin e institucionit më të lartë ligjvënës në vend.
“Edhe pse ekzistonte një nga shumë kërkesat e pakuptimta që shtronte VMRO-DPMNE, ne pranuam që kryetari i komisionit të jetë nga VMRO-DPMNE, me qëllim të debllokohen proceset në Maqedoni, ta funksionojnë tendencat demokratike, me qëllim që të mos mbeten peng qytetarët dhe institucioni ligjvënës nga asnjë politikan ose parti. Në këtë mënyrë dëshirojmë ta vëmë në funksion Kuvendin si shtëpi më të madhe përfaqësuese të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, tha Oliver Spasovski nga LSDM.
VMRO-DPMNE këtë kompromis e vlerësoi si dorëzim të LSDM-së dhe thanë se kjo parti për herë të parë e ka pranuar humbjen në zgjedhjet e fundit. Ilija Dimovski e ftoi LSDM-në që ngjashëm të veprojë edhe në të ardhmen. Në të kundërtën ai kërcënoi se çdo gjë mbetet e hapur.
“LSDM sot për herë të parë pas zgjedhjeve e pranoi faktin se janë humbës të zgjedhjeve dhe se janë parti e dytë në këtë Kuvend. Nëse LSDM vazhdon të dëgjojë zërin e qytetarëve të cilët çdo ditë janë në rrugë, nëse LSDM vazhdon me hapa të këtillë të pranojnë se janë parti humbëse, Kuvendi do të vazhdojë të funksionojë. Nëse tentojnë me mashtrime paszgjedhore të imponojnë rregulla dhe praktika të reja në Kuvend atëherë të gjitha mundësitë mbeten të hapura”, tha Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Por, marrëveshja e sotme nuk nënkupton edhe debllokim dhe konstituim të Kuvendit. Nga VMRO-DPMNE thanë se të hënën do të mbahet seancë plenare në të cilën do të konstituohet vetëm komisioni, ndërsa deri në konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit të ri, Ilija Dimovski përmendi edhe disa procedura të tjera.
“Ajo është procedurë. Të hënën e vetmja pikë për të cilën do të diskutojë dhe vendos Kuvendi është zgjedhja e përbërjes së komisionit për zgjedhje dhe emërim. Më pas sipas procedurave duhet të thiret seancë e komisionit, atje të shqyrtohet 1, 3, 5, 100 propozime për kryetarë të Kuvendit dhe propozimi I vërtetuar nga komisioni për zgjedhje dhe emërim ti dorëzohet kryesuesit të seancës konstituive dhe atëherë ai do të mund të thërret seancë të Kuvendit për zgjedhje të kryetarit të Kuvendit”, theksoi Dimovski.
Seanca për konstituimin e komisionit për zgjedhje dhe emërim, sipas marrëveshjes së arritur sot në mbledhjen koordinative, do të mbahet të hënën në mesditë. Në këtë komision VMRO-DPMNE ka 6 anëtarë, LSDM 6, ndërsa BDI dhe Lëvizja Besa nga një anëtar.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Vazhdimi i seancës konstitutive të Kuvendit… by tvshenjaofficial