Presidenti Gjorgji Ivanov ia ndau mandatin për formimin e Qeverisë kreut të LSDM-së, Zoran Zaev në një akt ceremonial që u mbajt në vilën presidenciale në Vodno. Ky akt erdhi tre ditë para skadimit të afatit, ndërsa Ivanov tha se Zaev ka eliminuar pengesat e deritanishme.
“Pengesat për ndarjen e mandatit për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë janë eliminuar. Sot i qasemi përmbushjes së nenit 84, paragrafi 1 e Kushtetutës së RM për ndarjen e mandatit për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Koalicioni i drejtuar nga LSDM e cila ka shumicë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë e propozoi zotin Zoran Zaev të jetë kandiodat të cilit do t’I ndahet mandate për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë”, deklaroi Gjorgji Ivanov, president.
Mandatari Zoran Zaev lexoi deklaratën me të cilën ka siguruar presidentin se nuk do të shkelet Kushtetuta dhe nuk do të preket sistemi unitar i shtetit. Ai mes tjerash tha se nuk do të lejojë që Maqedonia ti nënshtrohet ndonjë shteti tjetër dhe nuk do të pranojë asnjë platformë që shkel këto rregulla. Zaev premtoi se Maqedonia do të jetë shtet i të gjithë qytetarëve.
“Garantojmë mbrojtjen e rendit kushtetues dhe tërësisë territoriale të RM. Garantojmë mbrojtjen e interesave shtetëror edhe avancimin e jetës së gjithë qytetarëve pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare dhe gjuhësore. Garantojmë se procesi I sjelljes së vendimeve për qytetarët e RM do të jetë në përputhje me parimet themelore demokratike dhe sundimin e së drejtës duke mos e vendosur Maqedoninë në pozitë të nënshtrimit dhe varësisë ndaj ndonjë shteti tjetër. Asnjë dokument, platformë, deklaratë, akt ose veprim që do të jetë në kundërshtim me qëndrimet e lartpërmendura nuk mund të jenë kusht ose bazë për formimin ose veprimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë”, deklaroi Zoran Zaev.
Pas marrjes së mandatit Zaev tha se do të tentojë që për më pak se 10 ditë të formojë kabinetin e ri qeveritar, ndërsa njoftoi se do të bisedojë me të gjitha partitë shqiptare që kanë mbështetur shumicën e re parlamentare, BDI, Besa dhe Aleancën për shqiptarët.
“Ne do të bisedojmë me BDI-në, Aleancën për shqiptarët dhe Besën, 67 nënshkrime fituam kur zoti Ivanov kërkoi të dëshmojmë se ekziston shumicë. Radha është kjo dhe unë dëshiroj që të gjitha këto parti dhe koalicione të formuara pjesëmarrës në Qeverinë e re”, shtoi ai.
Zaev konfirmoi që partitë janë dakorduar që më 15 tetor të mbahen zgjedhjet lokale, ndërsa u shpreh optimist se ndryshimet ligjore do të miratohen në Kuvend brenda një afati sa më të shkurtër. Prioritet tjetër urgjent Zaev tha se do të jetë edhe heqja e testimit ekstern dhe kjo sipas tij do të bëhet para 5 Qershorit për kur është paraparë të mbahet testimi i parë.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Zaev: Do të formojë Qeveri për 10 ditë by tvshenjaofficial